25.3 C
New York
Thursday, July 17, 2025

Buy now

“Specialja po bëhet e rrezikshme”, rrëzimi i mocionit nuk mund të apelohet

- Advertisement -
Gjykata Speciale rrëzoi mocionin e ish-krerëve të UÇK-së të mërkurën, por pavarësisht kësaj ata nuk kanë të drejtë ta kundërshtojnë një vendim të tillë. Njohësit e çështjeve të drejtësisë për AP thonë se kjo tregon qartë mënyrën se si funksionon ky institucion.

Vendimi për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vuri në pah edhe një dispozitë ligjore që krijon pabarazi midis palëve në proces – mbrojtjes dhe trupit të prokurorisë – duke i dhënë vetëm prokurorisë të drejtën për të apeluar rrëzimin e aktakuzave, ndërsa ia mohon këtë mundësi mbrojtjes.

“Prokurori i Specializuar ka të drejtën të apelojë një vendim që rrëzon aktakuzën apo cfarëdo akuze të saj në bazë të rregullës 170. Mbrojtja nuk ka të drejtë të apelojë vendime që refuzojnë kërkesa për rrëzimin e aktakuzës”, thuhet në rregullën 130, në pikën 4.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë e vlerësojnë këtë si një shfaqje të qartë të pabarazisë në procedurë, që minon parimin e një procesi gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.

Profesori i së drejtës kushtetuese dhe ish-deputeti, Arsim Bajrami, thotë për Albanian Post se me rrëzimin e mocionit të mbrojtjes u tregua edhe një herë tendenca e hapur për të montuar dhe për të shtrembëruar të vërtetën për historinë moderne të vendit.

“Qëllimi i këtij gjykimi po merr karakter të hapur dhe shumë të rrezikshëm politik, me synimin e balancimit të krimeve e gjenocidit të Serbisë në Kosovë me ndonjë akt të rastësishëm vandal, të izoluar, që mund ta ketë kryer ndonjë individ në kohë lufte, madje duke mos qenë fare pjesëtar i UÇK-së”, thotë Bajrami për AP.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Ai sqaron se edhe pse formalisht Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor, deri më tani ka bërë shkelje kushtetuese dhe ligjore, si dhe ka shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht në lidhje me të drejtat e njeriut.

“Pavarësisht se kjo gjykatë pretendon se nuk po gjykohet UÇK-ja, por gjoja ‘krimet’ individuale të pjesëtarëve të saj, ky është një mashtrim, sepse katër udhëheqësit e saj, të cilët vazhdojnë të jenë në paraburgim, ishin protagonistët eminentë të procesit të çlirimit, të shtetndërtimit dhe të pavarësisë së Kosovës”.

Bajrami përmend edhe refuzimin e Speciales për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, duke shkaktuar shkelje të tjera.

“Kjo është një shkelje brutale e Gjykatës Speciale ndaj sovranitetit juridiko-kushtetues të Republikës së Kosovës, Kuvendi i së cilës i miratoi të gjitha aktet ligjore për themelimin e Gjykatës Speciale”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ardian Bajraktari, pohon për Albanian Post se dispozita që nuk ua mundëson mbrojtjes të apelojë vendime që refuzojnë kërkesën për rrëzimin e aktakuzës tregon qasjen dhe mënyrën se si është ideuar dhe funksionon kjo gjykatë.

“Padyshim që kjo shfaq qasjen dhe mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate. Tregon pabarazi midis palëve në procedurë, një prej aspekteve esenciale dhe të rëndësishme që garanton një proces gjyqësor të drejtë”, sqaron Bajraktari për Albanian Post.

Ai e quan vendimin e Speciales për të rrëzuar mocionin e palës mbrojtëse “dështim” të trupit gjykues.

“Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të palës mbrojtëse, e cila i referohet kohëzgjatjes së konfliktit të armatosur (luftës), në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është dështim i trupit gjykues dhe i gjykatës për t’u dëshmuar objektiv, duke rrënuar edhe më shumë besimin e publikut në drejtësi”.

Ndonëse mënyra se si funksionon kjo gjykatë po krijon hapësira të mëdha për dyshime, sipas tij ende ka shpresë për drejtësi.

“Koncepti dhe mënyra e funksionimit të kësaj gjykate lë hapësira të mëdha për dyshime, megjithatë ende ka shpresë, nëse ka drejtësi. Faza pasuese është vendimtare për palën mbrojtëse”.

Të ngjashme

Të fundit