Seancat në Speciale pritet të rifillojnë më 9 shkurt të 2026-së.
Gjatë 21 ditëve të ardhshme, Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk do të mbajnë seanca gjyqësore dhe as konferenca për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkaq, nga 22 dhjetori, Gjykata Speciale do të hyjë në pushimin dimëror, i cili do të zgjasë deri më 9 janar.
Ndërkaq, më 9 shkurt 2026 do të mbahen seancat përmbyllëse në rastin ndaj Thaçit.
Këto informacione janë bërë të ditura në kalendarin e DhSK-së të Speciales.
Në Dhomat e Specializuara, seanca e fundit është mbajtur më 28 nëntor, një datë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka kritikuar, pasi përkon me Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Në të njëjtën ditë, në Kosovë është përkujtuar edhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe përvjetori i lindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Thaçi, gjatë fjalimit të tij, ka vlerësuar se caktimi i seancës në këtë datë do të duhej të ishte shmangur.
Më 4 dhe 5 nëntor u mbushën pesë vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ky proces gjyqësor ka nisur në prill të vitit 2023 dhe gjatë dy muajve të fundit janë dëgjuar dëshmitë e 7 dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja, ndërkohë që dëshmitarët e thirrur nga prokuroria përfunduan dëshminë e tyre në prill të këtij viti.
Organizatat që dalin nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë deklaruar se nuk do të dorëzohen përballë asaj që e quajnë “padrejtësi historike”.
Aktakuza ndaj ish-eprorëve të UÇK-së ishte ngritur më 26 tetor të vitit 2020. Ajo i ngarkon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998–1999.






