Vaji i lulediellit ka rrëzuar vajin e ullirit në Spanjë pasi rritja e çmimeve i ka detyruar konsumatorët t’i drejtohen opsioneve më të lira.
Në gjysmën e parë të vitit 2024, spanjollët blenë 107 milionë litra vaj ulliri dhe 179 milionë litra vaj luledielli, sipas të dhënave nga Anierac, shoqata më e madhe e shisheve të vajit të ullirit në Spanjë, të raportuara nga Reuters.
Deri në këtë vit, vaji i ullirit ishte më i popullarizuari në familjet spanjolle, ai mbulonte 62 për qind të shitjeve dhe vaji i lulediellit pothuajse 34 për qind, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë.
“Është e qartë se konsumi i vajit të ullirit në Spanjë po bie”, tha zëdhënësi i shoqatës Primitivo Fernandes. “Ka familje që blejnë vetëm vaj ulliri dhe tani për herë të parë blejnë edhe luledielli edhe vaj ulliri”, shtoi Fernandes.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, vëllimi i shitjeve të vajit të ullirit ra me 18 për qind, ndërsa shitja e vajit të lulediellit u rrit me 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare.
Reuters raporton se, sipas statistikave zyrtare, një shishe me litër vaj luledielli kushton mesatarisht 1,86 euro dhe vaji i ullirit kushton 6 euro, ose 50 për qind më shumë se në vitin 2022.
Spanja është prodhuesi më i madh në botë i vajit të ullirit dhe mbulon rreth 40 për qind të dërgesave, por në dy vitet e fundit, vapa në pranverë dhe thatësirat e zgjatura kanë ulur prodhimin, kështu që çmimet janë dyfishuar.
Kjo ka bërë që njerëzit më të varfër të kalojnë nga përbërësi kryesor i kuzhinës mesdhetare në vaj luledielli më të lirë, sipas raportit mbi tendencat në konsumin e ushqimit në 2023 nga Ministria spanjolle e Bujqësisë. Në raport thuhet se në fund të vitit 2023, vaji i ullirit përdorej kryesisht nga familjet e klasës së mesme dhe të lartë të mesme.