Një thatësirë e madhe e ka bërë ujin e rubinetit të papijshëm në disa qytete përgjatë Costa Blanca në Spanjë, duke i detyruar pushuesit dhe vendasit të qëndrojnë në radhë në pikat e shpërndarjes për të mbushur shishet me ujë për të mbuluar nevojat e tyre bazë.
Ndërsa nivelet e ujit kanë rënë, kripësia është rritur, duke bërë që autoritetet në disa zona ta konsiderojnë ujin e rubinetit të pasigurt për t’u pirë apo për gatim.
Aktivistët thonë se mbizhvillimi, ndryshimet klimatike dhe turizmi masiv gjatë muajve të verës kur popullsia e destinacionit popullor mesdhetar rritet, e kanë përkeqësuar problemin.
Në zonën e Marina Alta, në veri të kryeqytetit të provincës Alicante, konsumi i ujit rritet në 19.67 miliardë litra në korrik nga 2.3 miliardë litra në janar.
Ka rreth 38,000 pishina në zonë, ose një për çdo pesë banorë, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave. Mesatarja për të gjithë Spanjën është një pishinë për 35 persona.
Mungesa e ujit ka detyruar këshillat e qytetit të ndalojnë aktivitete të tilla si mbushja e pishinave, apo ujitja e kopshteve dhe larja e makinave gjatë ditës.
“Ne po hyjmë tashmë në një emergjencë klimatike,” tha Joan Sala nga grupi mjedisor Accio Ecologista-Agro për Reuters, duke përmendur reshjet e dobëta në pjesën veriore të provincës Alicante.