Auditorja e përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca bën të ditur se vetëm 37 për qind e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për përmirësim të mënyrës së menaxhimit të emergjencave janë zbatuar plotësisht për vitin 2023.
Spanca thekson se përfundimet e auditimit kanë nxjerrë në pah se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë një sistem të përshtatshëm, i cili do të siguronte në mënyrë efektive parandalimin dhe reagimin ndaj situatave emergjente të vërshimeve/përmbytjeve në Republikën e Kosovës.
“Me qëllim të përmirësimit të mënyrës së menaxhimit të emergjencave, ishin dhënë 11 rekomandime për institucionet përgjegjëse. Niveli i përgjithshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit në nivel vendi mbetet i ulët, vetëm 37% e rekomandimeve tona të dhëna për vitin 2023 janë zbatuar plotësishtë”, shkruan Spanca.
Spanca ka shkruar se treguar se subjekt i auditimit ishin: Agjencia për Menaxhim Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendra e Situatave në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Përderisa në nivel lokal, komunat Gjakovë dhe Vushtrri ishte përzgjedhur duke marrë parasysh shpeshtësinë e fatkeqësive të ndodhura në këto komuna për periudhën e fushëveprimit 2019, 2020 deri në janar të vitit 2021.
Vërshimet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë rrugore, ekonomi familjare dhe biznese.






