Më 15 tetor prokurorja e posaçme Enkeleda Minollai i kërkoi gjykatës nxjerrjen e 3 masave sigurie, të cilat u firmosën nga gjyqtarja Irena Gjoka më 20 tetor.

Sipas SPAK, gjatë procedurës së privatizimit Sali Berisha në cilësinë e kryeministrit ka konsumuar veprën e korrupsionit pasiv pasi ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte dhëndri i tij.

Në cilësinë e kryeministrit ka ushtruar presion dhe dhënien e urdhrave konkrete për konkludimin e procedurave të privatizimit që sipas dosjes janë kryer në kohë rekord brenda 6 muajsh.

Po ashtu, ai dyshohet se ka vendosur në dispozicion të dhëndrit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Pas këtyre favoreve është kryer privatizimi, janë ndryshuar destinacionet e zonave sportive që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejtë Jamarbër Malltezi i cili për këto veprime akuzohet për korrupsion pasiv. Por hetimi i kësaj dosje nxjerr zbuluar edhe një shumë prej 5.4 milionë euro të përfituara ai.

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha Jamarbër Malltezi pretendon se nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk” që ka kryer ndërtimet tek ish kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 milionë euro që sipas SPAK janë para të jashtëligjshme, pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi për t’i pastruar këto para.

Telashe me drejtësinë ka dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, i cili ka shfrytëzuar territoret sportive për kryerje ndërtimesh dhe nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” i ka siguruar Malltezit dhënien e përfitimeve të paligjshme në vlerën 5.4 milionë euro duke i paraqitur ato si të ardhura të ligjshme nga biznesi.

Në këto kushte gjykata e posaçme ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për pasuritë e dhëndrit të ish kryeministrit konkretisht 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari bankare në euro, dollarë dhe lek, si dhe kuotat e kapitalit themeltar më 3 kompani./Top Channel