Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë Ura e Ibrit duhet të hapet sepse situata e sigurisë është në nivel dhe se nuk ka gjasë që të krijohen trazira, siç është paralajmëruar nga Serbia. Sipas tij, diplomacia serbe ka arritur ta bindë bashkësinë ndërkombëtare për këtë.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet që ta hapë urën, që t’i tregohet bashkësisë ndërkombëtare se në veri ka maturi dhe nuk është e vërtetë ajo çfarë pretendon diplomacia serbe.
Spahiu ka shtuar se bazuar në protestën e fundit të serbëve në veri, protestë e ftuar nga vetë presidenti Vuçiq e ku morën pjesë një numër i vogël protestuesish, dëshmon se komuniteti serb nuk është kundër hapjes së urës.
“Duhet të hapet, sepse është rrjedhë normale e gjithë asaj çka ka ndodhur në veri viteve të fundit dhe hapja e urës ka karakter më shumë simbolik se sa praktik, megjithëse ka edhe rëndësi praktike e sidomos për veriun, sepse nga jugu në veri kalohet vetëm në rrugica, kurse nga veriu në jug shkohet drejt në rrugën kryesore”.
“Protesta e fundit e serbëve, e ftuar nga vetë presidenti Vuçiq, ku nuk morën pjesë as 600 veta dëshmon se komuniteti serb nuk është kundër hapjes së urës. Diplomacia serbe ka arritur ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që kjo është një gjë e rëndësishme dhe pas kësaj shqiptarët do te bëjnë zullume në veri, që mendoj se nuk do të ndodhë”.
Spahiu ka theksuar se Policia e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme dhe ta ndalojë “çfarëdo manifestimi në mënyrë të rreptë”.
“Policia e Kosovës do të jetë e vëmendshme dhe çfarëdo manifestimi do ta ndalojë në mënyrë të rreptë sepse do t’i jepte argument Vuçiqit. Argatët e Vuçiqit në mesin e shqiptarëve do të përpiqen ta bëjnë këtë. Siç pati edhe një tendencë para disa ditësh, kur një dasmë nga jugu kaloi në veri, duke bërë sirena me flamuj të Kosovës, të Shqipërisë e me budallaqe. Ata që kanë organizuar këtë kanë qenë argat të paguar të BIA-së serbe. Është për keqardhje që policia nuk i ndaloi. Në të ardhmen, besoj që do t’i ndalojë ngjarjet e tilla”, ka thënë ai.
Spahiu ka thënë se nuk ka mundësi që të këtë trazira në rast të hapjes së urës, kjo pasi sipas tij, strukturat e dhunshme paralele serbe janë eliminuar.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet që ta hapë Urën, që t’i tregohet bashkësisë ndërkombëtare se në veri ka maturi dhe nuk është e vërtetë ajo çfarë prezanton diplomacia serbe se shqiptarë do të shkaktojnë trazira.
“Nuk ka kush të shkaktojë probleme për shkak se strukturat e dhunshme paralele janë eliminuar, sidomos pas Banjskës, shumica kanë ikur në Serbi, një pjesë janë arrestuar, kjo nuk do të ndodhë. Qeveria e Kosovës duhet ta hapë Urën e Ibrit, të bëjë lëvizje taktike, ta hapë për të kaluar vetëm në një drejtim. Në këtë rast kishte me qenë më në rregull nga veriu në jug e pas nja dy jave ta hapë në dy drejtimet, kështu do t’i tregonim edhe bashkësisë ndërkombëtare se këtu ka maturi dhe nuk është ajo çfarë prezanton diplomacia serbe”, ka thënë ai.
Spahiu shtuar se hapi më i rëndësishëm politik pas hapjes së urës është edhe rindërtimi i xhamisë së Ibrit, duke përmendur edhe arsyet pse duhet të rindërtohet ajo.
“Hapi më i rëndësishëm politik është te rindërtimi i xhamisë së Ibrit që ka qenë këtu sepse rindërtimi i xhamisë ka jo vetëm rëendësi religjiozë, për shkak se 4-5 mijë mysliman në veri nuk kanë asnjë xhami, por për arsye kulturore se ka qenë një xhami qindra vjeçare aty. Por edhe për arsye politike, për shkak se prezenca e xhamisë tregon se nuk ka mure psikologjike, nuk ka ndarje jug e veri”, ka thënë ai për EO