Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, shprehet i bindur se Qeverinë e re e formon Lëvizja Vetëvendosje bashkë me NISMA-n e Fatmir Limajt, pakicat jo serbe dhe deputetin serb, Nenad Rashiq.

”Ka vetëm një skenar të formimit të Qeverisë dhe ajo do të jetë shumë shpejtë mes Kurtit-Limajt-Rashiq dhe minoriteteve jo serbe’’ thotë ai.

Sipas tij, kjo do të jetë Qeveria e re, por sa zgjasin negociatat nuk e di, por që shpreson se Qeveria do të formohet shumë shpejtë.

‘’Kjo do të jetë Qeveria e ardhshme, por tash varet se sa do të zgjasin negociatat e Kurtit me minoritetet dhe me Limajn, por shpresoj që Qeveria të formohet sa më parë që është e mundur’’ u shpreh Spahiu për FrontOnline.

Ndryshe, menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë koalicioni me partitë e mëdha shqiptare që janë në opozitë – Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Edhe këto tri parti opozitare kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me Kurtin.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Por, kjo parti duket se do t’i ketë 48 vende deputetësh, në Kuvendin e përbërë prej 120 sosh.

Për ta formuar Qeverinë, një mandatari i duhen të paktën 61 vota.