Profesori Nexhmedin Spahiu, ka komentuar reagimin e presidentes Vjosa Osmani për deklaratën e kryekuvendarit Glauk Konjufca se mbase ajo ka mundur të mos njoftohet për shkak të distancës dhe çështjeve teknike për letrën e dërguar në KiE.
Lidhur me këtë, Spahiu thotë se presidentja ka pasur të drejtë për reagimin, por s’ka qenë gafë më e madhe se deklarata e ministrit të Mjedisit, Liburn Ali, i cili sipas tij ka thënë se “Kosova është një shtet i përkohshëm”.
“Letra e dërguar në momentin e fundit në KiE ka qenë joserioze, në këtë reagim ka të drejtë presidentja. Por, kjo nuk është ndonjë gafë aq e madhe sa është deklarata e Liburn Aliut, ndaj së cilës presidentja nuk ka reaguar fare. Ajo është shumë ma katastrofike, ku ka thënë se ‘Kosova është një shtet i përkohshëm’. Ndryshe, pas kësaj deklarata presidentja është dashur ta kërkojë largimin e këtij ministri”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Profesori thotë se reagimi i Osmanit tregon mllef, që sipas tij ka të bëjë me koalicionet në zgjedhjet e ardhshme.
“Letra ka qenë hajgare hesapi, nuk ka qenë serioze, pasi që ti je marrë vesh për diçka tjetër, tash jo ne do të bëjmë diçka tjetër. Por, sidoqoftë reagimi i presidentes tregon një lloj mllefi, i cili unë nuk e di se ku është akumuluar. Po të ishte për çështje parimore do të reagonte atëherë për Liburnin, sepse ajo ka qenë shumë ma e rëndësishme. Ky mllef po mundem me marr me mend që ka të bëjë me koalicionet e ardhshme”, shtoi ai.