Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu ka deklaruar se Kosova nuk ka nevojë të insistojë që të zgjerohet formati i dialogut, ngase SHBA edhe ashtu është e përfshirë në dialog, ndonëse jo në rolin direkt të ndërmjetësuesit.
“Roli i ndërmjetësuesit të dialogut i takon BE-së, përkundër faktit se mbi një dekadë ka qenë Amerika që e ka udhëhequr procesin sa i përket çështjes së Kosovës. Unë e shoh që Amerika është e përfshirë drejtpërdrejt në dialog por jo në rolin e ndërmjetësuesit. Nuk kemi pse të insistojmë që ky format të zgjerohet sepse ka rreziqe të tjera që mund të vijnë me zgjerimin e formatit”, ka thënë Spahiu në emisionin “RTK Prime”.
Ai ka thënë se roli i Amerikës pranë dialogut është për t’u lavdëruar dhe sipas tij ndoshta i mjaftueshën në këtë moment.
“Është kërkesa amerikane që të ketë një progres në dialog dhe dihet se qëndrimi i tyre sa i përket dialogut është njohja e ndërsjellt dhe këtë e përsëriti edhe ambasadori Hovenier në intervistën për RTK. Pra, ambasadori në këtë drejtim ishte mjaft i qartë dhe kjo është mjaft inkuaruajuese”, ka shtuar Spahiu.
Ai tutje ka thënë se duhet një dinamizim i dialogut dhe këtë e dëshmon edhe fakti se javën e ardhshme Eskobar dhe Lajçak do të jenë për vizitë në Kosovë, teksa mendon se formimi i Asociacionit duhet të lidhet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
“Kjo dëshmon për një rifokusim të SHBA-së në Kosovë. Prania e Eskobarit është po ashtu një mesazh. Çështja e Asiociacionit në mënyrën se si e kërkon Serbia është e pamundur të realizohet. Por, i takon Qeverisë së Kosovës që të gjejë modusin për ta implementuar atë zotim për asociacionin. Për mendimin tim implementimi duhet të jetë i përfshirë në marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi”, ka nënvizuar Spahiu.