Sot do t’i jepet lamtumira e fundit ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Sipas protokollit zyrtar, prej orës 10:00 deri në ora 12:00 do të zhvillohet ceremonia e homazheve në mjediset e Presidencës. Më pas trupi i pajetë i tij do të drejtohet drejt varrezave të Sharrës ku do të prehet ish-presidenti.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë shpalli ditën e sotme ditë zie kombëtare. Sipas vendimit të qeverisë, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Ndërkohë, tashmë ka nisur ceremonia shtetërore e nderimeve të fundit për ish-Presidentin Bujar Nishani. I pari që ka kryer homazhe për ish-kryetarin e shtetit ishte presidenti Ilir Meta, i shoqëruar nga vajza e tij Bora Meta.
Po ashtu, edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha kanë nderuar ish-presidentin Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Berisha shoqërohej gjithashtu edhe nga deputetë të Partisë Demokratike.
Homazhe për ish-presidentin kreu edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllari.