Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e enjte) sërish në orën 10:30 për ta konstituuar përbërjen e nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Gjithashtu, presidentja Vjosa Osmani po sot i ka thirrur në një takim liderët e partive politike.
Deputetët refuzuan për të shtatën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në pozitë.