Njohës të Kushtetutës dhe sistemit të drejtësisë vlerësojnë se nëse Kuvendi nuk konstituohet para sot (e shtunë), Kushtetuesja do të dalë me një vendim më të qartë për procesin. Ata gjithashtu thonë se Kushtetuesja nuk mund t’ua marrë mandatet deputetëve.
Të enjten, Gjykata Kushtetuese ua ndaloi deputetëve që ndërmjet datave 27 korrik dhe 8 gusht të marrin çfarëdo vendimi apo veprimi për konstituimin e Kuvendit.
Kështu, 120 të zgjedhurit e popullit kohë kanë vetëm edhe sot për ta përfunduar procesin.
Me vendosjen e masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese, sipas Astrit Kolajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, jep vetes kohë për një vendim më të qartë për konstituimin e Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese gjatë kësaj kohe do të sqarojë pjesën e aktgjykimit të fundit të vet, që nuk ka qenë shumë sqarues dhe nuk ka paraparë disa masa të cilat mund të ndodhin pas moskonstituimit të Kuvendit, të paraparë në bazë të asaj që duhet të konstituohet brenda 30 ditëve”, ka thënë Astrit Kolaj, IKD.
Kolaj thotë që Kushtetuesja nuk mund t’ua marrë mandatet deputetëve.
“Gjykata nuk do të mund ta marrë mandatin e deputetëve pa vullnetin qytetar, sepse qytetarët janë ata që u ofrojnë mandatin deputetëve. Dhe të zëvendësojë këta deputetë me deputetë të tjerë — e besoj që gjykata nuk do të ndërhyjë më në pjesën e kompetencave dhe t’i ofrojë kompetenca shtesë presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, sepse është e paraparë qartë se në çfarë rrethanash presidentja mund ta shpërndajë Kuvendin”, ka thënë Astrit Kolaj, IKD.
Një veprim të tillë të vështirë e sheh edhe avokati Anton Nrecaj, por ai propozon një skenar tjetër.
“Do t’i jepet mundësia edhe një herë partisë së parë, në këtë rast partisë Lëvizja Vetëvendosje, dhe nëse dështon, t’i jepet mundësia partisë së dytë , pra, sikur në aktgjykimin që ka për formimin e qeverisë, ta bëjë edhe për Kuvendin”, ka thënë Anton Nrecaj, Avokat.
Por, të gjitha këto mund të shmangen nëse Kuvendi arrin të konstituohet sot (e shtunë), e cila është dita e fundit e afatit prej 30 ditësh që e caktoi Kushtetuesja më 26 qershor.
Vazhdimi i 53 i seancës konstituive mbahet në orën 14:00.