16.4 C
New York
Thursday, August 28, 2025

Buy now

Sot përpjekja e 59-të për konstituimin e Kuvendit

- Advertisement -

Kuvendi i Kosovës sot (e enjte) vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Njohës të fushës së politikës thonë se nëse shkohet me skenarin e së martës një bllokadë e re duket në horizont. Ndërkohë, deputeti nga radhët e pakicës serbe, Nenad Rashiq, beson se do të marrë besimin e ligjvënësve për t’i përfaqësuar serbët kosovarë nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

Mes zërave që vlerësojnë se dje gjatë votimit për nënkryetarët e Kuvendit, pati shkelje kushtetuese, ose jo, pritet të vazhdojë nesër, përpjekja e 59-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të.

Në ditën e 10-të, pasi ka filluar rrjedhja e afatit kushtetues për bërjen e Kuvendit, deputeti nga radhët e pakicës serbe, Nenad Rashiq, tha se pret të marrë më shumë se 61 vota për ta përfaqësuar komunitetin serb nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

“Nuk arritëm që të marrim numrin e nevojshëm të votave, por nesër do të përpiqemi prapë këtë punë, sepse besoj se është mënyrë simbolike, politike, që të marrë më shumë vota, më shumë se 61 për shkak se, prapë po them, periudha e fundit e veprimtarisë politike serbe ka qenë aq e shëmtuar, sa as vetë nuk e dimë se kush na përfaqëson e si, pra është me rëndësi ta fitoj këtë betejë të vogël që është një shenjë që e dimë se çfarë do të bëjmë e si do të veprojmë”, tha Rashiq.

E në Institutin e Kosovës për Drejtësi mendojnë se vazhdimi i seancës duhet të rikthejë në votim edhe njëherë nënkryetarët nga radhët e komuniteteve bashkë.

“Duhet të përsëritet e komunitetet të votohen siç janë votuar gjithmonë…”, tha Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Por, nëse shkohet me skenarin e para dy ditëve, një bllokadë e re duket në horizont, thotë njohësi politik, Dritëro Arifi.

“Do të vazhdojë kjo saga e nënkryetarit të pakicave, ose do të kemi një goditje nga perëndimoret, ose do të shkohet në versionin të presim çka do të thotë Gjykata Kushtetuese. Për qytetarët është e pakuptimtë mënyra qysh po zvarriten gjërat, duhet të jemi më serioz në politikëbërje”, tha Arifi.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, të martën kur vazhdoi me procedurën e zgjedhjes me short të nënkryetarit nga komuniteti serb, nxori në votim edhe emrin e deputetit serb, Nenad Rashiq, që propozoi veten për këtë post. Nga 95 deputetë të pranishëm, vetëm 55 deputetë votuan për. /RTK/

Të ngjashme

Të fundit