Sot do të bëhet përpjekja e 14-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Seanca konstituive, e ndërprerë të premten do të vazhdojë në orën 10:00. Kjo do të jetë seanca e 14-të çdo 48 orë që nga 15 prilli.
Në seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë. Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
“Ne kemi të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe emëruar përfaqësuesit tanë, dhe këtë të drejtë po e ushtrojmë me përgjegjshmëri. Ne kemi kandidatin më të votuar për këtë post, Albulena Haxhiun, mbesën e heroit Ahmet Haxhiu, dhe nuk heqim dorë nga kjo kandidaturë”, tha Kurti.
Ai tha se mund të bëjë kompromise për formimin e Qeverisë, por jo për konsituimin e Kuvendit, pasi siç pohoi ju takon të gjithëve.
Kujtojmë gjatë kësaj jave, menjëherë pas dështimit të seancës së 11’të, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i dërgoi një letër atij të LDK’së, Lumir Abdixhikut, ku i kërkoi që të hynin në koalicion bashkë.
Abdixhiku ia ka kthyer përgjigjen, duke refuzuar bashkëpunimin, por duke propozuar për fillimin e një procesi të ri konsultativ, që parasheh përfshirjen e partive politike parlamentare shqiptare, me qëllim formimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit.
LDK është shprehur e gatshme që ta drejtojë këtë proces konsultativ, siç ka thënë, për të zgjidhur krizën aktuale dhe garantuar stabilitetin kombëtar në vend.
Ky propozim është kundërshtuar nga VV-ja. Kreu i VV-së, Albin Kurti sot tha se LDK do të duhej ta kishte më të lehtë koalicion me VV-në, ndërsa ‘thumboi’ partinë e Lumir Abdixhikut duke thënë se mund të ketë preferenca të tjera.
“E shkrova edhe një letër tjetër për marrëveshje politike për koalicion Lëvizja VETËVENDOSJE!-Lidhja Demokratike e Kosovës, por edhe ajo u refuzua mjaft ashpër. Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2020 bëri koalicion me Lëvizjen VETËVENDOSJE!; tani, pas reformave, do të duhej të ishte edhe më e lehtë të bënin koalicion me ne, por nuk po ngjan ashtu – ndoshta rruga e re ka preferenca tjera. Ne duam qeveri normale, jo qeveri të përkohshme apo tranzitore apo teknike.”, tha Kurti.
Për zgjidhjen e ngërçit institucional është kërkuar që presidentja Osmani të ndërhyjë duke ftuar partitë politike për takim konsultativ. Nga Presidenca gjatë javës kanë konfirmuar se Osmani do të kontaktojë “së shpejti” me partitë për një takim gjithëpërfshirës.