Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mërkurën mbrëma, pas takimit me dyer të mbyllur me serbët nga Kosova, ka deklaruar se kanë pasur një bisedë që nuk ka qenë e lehtë.
Ai ka bërë me dije se sot (e enjte) do të nis heqja e barrikadave në veri të Kosovës.
“Heqja e barrikadave do të fillojë nesër para mesditës, nuk mund të bëhet për dy orë, qoftë për 24 apo 48 orë, barrikadat do të hiqen, por mosbesimi mbetet”, ka thënë Vuçiq.
Tensionet në veri janë ngritur që nga nëntori, kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kulmuan me vendosjen e barrikadave më 10 dhjetor nga disa serbë lokalë, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.
Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai ishte duke u mbajtur në paraburgim në një stacion policor në Jarinjë, më 28 dhjetor, gjykata i ndryshoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar.
Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura. Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.
Për vendosjen e barrikadave, Kosova fajëson “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen deri kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.