23.6 C
New York
Thursday, August 7, 2025

Buy now

Sot mbaron masa e sigurisë për seancën konstitutive nga GjK, a do të rrëzohet pengmarrja procedurale e VV-së?

Vendi ka mbetur pa pushtet legjislativ dhe ekzekutiv: krejt kjo me manovrën e një leximi skajshmërisht alternativ – dhe, solipsist – të Vetëvendosjes të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit se konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhet të bëhet në afat tridhjetë ditor, e që s’u bë. Avni Dehari ua hoqi të drejtën kushtetuese deputetëve që të votojnë duke e mbajtur një të ashtuquajtur “komision për votim të fshehtë” që s’ishte në rend të ditës, s’i kishte votat dhe s’hiqej. S’ka vota? S’ka gajle, se s’do të ketë as votim, sepse Vetëvendosja s’i ka votat. Kështu Dehari – instrumental në formulën e Vetëvendosjes – e futi vendin në një shteg të pasigurisë së lartë juridike. Çështje kjo e cila duhet të sqarohet përfundimisht deri sot në ora 23:59 kur përfundon masa e përkohshme e vendosur ‘ex officio’ nga GjK.

Nacionale ka kuptuar përmes burimeve të veta se Gjykata Kushtetuese i është drejtuar për opinion edhe Komisionit të Venecias – por, se konfirmim të tillë (por, as mohim) nuk ka marrë nga Gjykata Kushtetuese dhe as Komisionit të Venecias. “Kërkesat e fundit përkitazi me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata”, na thanë nga Gjykata Kushtetuese.

Çka po trajton Gjykata Kushtetuese?

Pasi Aktgjykimi i 26 qershorit s’ia la shenjë Vetëvendosjes dhe vazhdoi në trajtën dhe metodën e njëjtë që “ose votim të fshehtë për Albulena Haxhiuns, ose hiç”, dy partitë ish-opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan nga gardiani kushtetuese që “ta vizatojë” vendimin e marrë pasi Albulena Haxhiu u shndërrua në një kategori mbikushtetuese që vendi të ketë mundësi të ketë Kuvend.

PDK dhe LDK, ku më ndryshe e ku më njëjtë, kërkuan katër a pesë gjëra të konstatohen nga Gjykata Kushtetuese në mënyrën më të kulluar të mundshme:

  • Të shpallet vendimi i Kuvendit për Komisionin për Votim të Fshehtë si jokushtetues.
  • Të shpallet ndërprerja e seancës si jokushtetuese.
  • Të urdhërohet vazhdimi i seancës konstituive me votim të hapur, sipas praktikave të mëhershme.
  • Të konstatohet se dështimi në zgjedhjen e Kryetarit nuk çon automatikisht në zgjedhje të reja.

PDK argumentoi se Aktgjykimi i 26 qershorit 2025 i Gjykatës ndaloi ndryshimin e rendit të ditës të seancës konstituive dhe hodhi poshtë të ashtuquajturin Komision për Votim të Fshehtë. Avni Dehari – aq më keq për Aktgjykimin – veproi kundër këtij aktgjykimi duke kërkuar themelimin e Komisionit dhe duke ndërprerë sërish dhe në arbitraritet serik seancën konstitutive.

Avokati i PDK-së, Faton Fetahu – një nga hartuesit e lëndës bashkë me Përparim Grudën – argmentoi se grupi më i madh parlamentar (LVV) ka shkelur detyrimin për bashkëpunim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, sipas nenit 67 të Kushtetutës; dhe se kjo ka çuar në bllokimin e konstituimit të Kuvendit.

Më tej u kërkua nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë detyrimet e grupeve parlamentare lidhur me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve, për të parandaluar barazvlerësimin e këtyre proceseve, i cili mund të shërbejë si mjet i ri për bllokimin e Kuvendit nga Vetëvendosja, indikacionet e cila veçse i ka dhënë Albin Kurti.

Fetahu argumenton se veprimet e Vetëvendosjes shkelen nenet 65(6), 67(2), 74 dhe 76 të Kushtetutës, si dhe aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese (KO124/25).

Për atë se Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit nuk ka saktësuar se çfarë ndodh pas detyrimit 30 ditor të konstituimit të kuvendit, PDK kërkoi që të konstatohet se nuk çohet në zgjedhje të reja.

“V. TË KONSTATOJ se dështimi në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe apo Nënkryetarëve të Kuvendi nuk shkakton mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare;”, thuhet në sfidimin e PDK-së.

Të ngjashme

Të fundit