Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot (e mërkurë) nga ora 17:00, anise ishte paraparë të fillonte nga ora 12:00. Kjo, për shkak të zhvillimeve në Hagë, ku mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta ketë fjalën gjatë gjithë ditës.
Kjo është konfirmuar nga Dimal Basha, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike.
“Ora ka ndryshuar, me kërkesë të nënkryetares Vlora Citaku, për shkak të rrethanave nesër ku mbrojtja do të ketë fjalën gjatë gjithë ditës nesër, në respekt të asaj që po ndodhin në Hagë, të gjitha subjektet politike kanë pranuar që seanca konstituive të mbahet në ora 17:00, pastaj të vazhdohet për formimin e Qeverisë” – ka thënë ai.
Theksojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të pranuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor certifikimin e rezultateve zgjedhore, menjëherë thirri seancën konstitutive.
Në njoftimin për publik Presidenca shkroi se është konsultuar “me shumicën e partive parlamentare” por s’tregoi se me kë jo.
Paraprakisht ajo, ka pritur në takim kreun e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, por jo edhe Albin Kurtin e Vetëvendosjes.
Në ato takime u tha se biseda ka qenë thjesht për Bordin e Paqes të Donald Trump, por jo edhe çështja e kuvendit.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00″, ka thënë në komunikatë.






