E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.
Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.
Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.
Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.
Që të tria komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.
Nga stacionet policore, kontejnerët që do të përdoren si qendra votimi në zgjedhjet e së dielës në veri, janë shpërndarë nëpër terren.
Objekte të tilla janë vendosur në 13 lokacione në katër komunat me shumicë serbe.
Nga ana tjetër, lidhur me mbarëvajtjen e votimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mban katër konferenca.
Në orën 08:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mban konferencën e parë në lidhje me hapjen e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok; si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq.
Në orën 11:30, mbahet konferenca e dytë për medie e KQZ-së në lidhje me pjesëmarrjen në votime deri në orën 11:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor.
Në orën 15:30, mbahet konferenca e tretë e KQZ-së lidhur me pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor dhe e fundit konferencë, mbahet në orën 19:30, lidhur me pjesëmarrja në votime deri në orën 19:00 dhe mbylljen e vendvotimeve. /EO/