Sot do të zhvillohet java e 35-të ose e parafundit në Superligën e Kosovës në futboll.
Deri tani vetëm skuadra kampione dhe njëra nga ekipet që kanë rënë nga liga dihet, teksa mbetet për t’u vendosur në dy javët e fundit për skuadrat tjera që shkojnën në Evropë dhe ato që bien.
Në Klinë, Dukagjini që po lufton për mbijetesë do të jetë nikoqir i Ferizajt që është tri pikë larg zonës që dërgon në garat evropiane, shkruan Gazeta Express.
Në “Liman Gegaj”, Malisheva që do të synojë ta mbajë pozitën e tretë që dërgon në Evropë, përballet me Suharekën shumë të rrezikuar për rënie nga elita dhe që fitoren e ka obligim sot.
Ballkani – Llapi është dueli tjetër i sotëm. Suharekasit e kanë të sigurt vendin e dytë, kurse Llapi ende nuk e ka siguruar mbijetesën.
Gjilani – Drita është derbi i madh i Anamoravës. Për “Intelektualët” kjo ndeshje luhet sa për statistika, pasi që tashmë e kanë siguruar titullin e kampionit.
E dueli i fundit është ai mes Feronikelit 74 dhe Prishtinës që luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Të gjitha këto pesë ndeshje nisin sot nga ora 16:00.