Në Gjykatën Speciale në Hagë sot fillon procesi gjyqësor ndaj katër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Beteja ligjore e katërshes së UÇK-së pritet të zgjasë disa vjet, ndonëse nuk dihet saktësisht sa.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën Speciale në fillim të muajit nëntor të vitit 2020, raporton Gazeta Scanner.
Ata qysh në daljen e parë para Gjykatës Speciale janë deklaruar të pafajshëm në raport me aktakuzën me të cilin i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Një ditë para nisjes së procesit gjyqësor, Gjykata Speciale kanë lëshuar një komunikatë për media lidhur me këtë proces, duke njoftuar se janë planifikuar që deklaratat hyrëse për rastin në fjalë të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.
“Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill”, ka njoftuar Specialja.
Pos tjerash në këtë komunikatë është thënë se: “140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në aktakuzën e konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DhSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”.
Trupi gjykues i Speciales ka bërë me dije se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.
Në mbështetje të katër drejtuesve të UÇK-së të dielën është mbajtur një marsh madhështor në Prishtinë, ku ishin mbledhur rreth 100 mijë qytetarë me kërkesën e vetme: “Drejtësi për çlirimtarët”. /Gazeta Scanner/