Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht, do të përfundojë sot më 26 dhjetor 2024.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për RTKlive se në bazë të të dhënave, nga 29 gusht deri më 25 dhjetor, në orën 13:30, pas aplikimit përmes platformës elektronike janë aprovuar 75,211 kërkesa për regjistrim, ndërsa 4,581 janë refuzuar.
“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, tha ai.