Shkëlzen Sopjani, njohës i çështjeve të sigurisë, ka komentuar protestat e fundit studentore në Beograd, duke i quajtur ato një sinjal të fuqishëm kundër regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një intervistë për emisionin FIVE në RTV Dukagjini, Sopjani tha se që nga fillimi, Vuçiq ka tentuar t’i minimizojë protestat, por ato u dëshmuan si një lëvizje jashtëzakonisht e madhe dhe me ndikim.
“Këto protesta nuk do të ndalen përderisa nuk i vije fundi regjimit të Vuçiqit në Serbi”, deklaroi ai, duke shtuar se protestuesit kanë një vendosmëri të madhe për ndryshime thelbësore në vend.
Ai vlerësoi se reagimet e Vuçiqit dhe të qeverisë serbe pasqyrojnë një qasje tipike të një regjimi diktatorial.
Duke komentuar protestën e 28 qershorit në Beograd, Sopjani tha se Vuçiqi tentoi ta zhvendosë vëmendjen drejt Kosovës, konkretisht në Gazimestan, përmes instrumentalizimit të incidentit me mbi 15 arrestime të serbëve gjatë manifestimit të Vidovdanit.
“Përdorimi i dhunës ndaj protestuesve në Beograd tregon pasiguri të pushtetit, por po frymëzon një masë të caktuar përmes populizmit dhe patriotizmit të rremë, pa e mbështetur atë me fakte,” tha Sopjani.
Në fund, ai shtoi se të vetmit që janë pasuruar në Serbi janë mbështetësit dhe “mbrojtësit” e Vuçiqit.
“Këta që i financon vet, bashkë me shefat e tyre – grupet kriminale”, përfundoi Sopjani.