Ish-kryeinspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka ngritur alarmin për përpjekjet e vazhdueshme të shteteve jo-miqësore ndaj Kosovës, të cilat përmes shërbimeve të tyre të inteligjencës po tentojnë të dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës.
“Shtete jo-miqësore çdo ditë punojnë me njerëz në terren për prishjen e imazhit të Kosovës. Dy nga targetet kryesore janë ekstremizmi fetar dhe njollosja e luftës së UÇK-së,” deklaroi Sopjani në emisionin “Debat Plus”.
Sipas tij, qëllimi i këtyre veprimeve është që Kosova të paraqitet si një vend kundër vlerave demokratike dhe të përçahet nga brenda, përfshirë edhe nxitjen e përçarjeve fetare që prej përfundimit të luftës.
Megjithatë, ai thekson se AKI po tregohet e suksesshme dhe në krye të detyrës, duke mbledhur informacione edhe nga jashtë territorit të Kosovës, ndonëse nuk operon fizikisht jashtë vendit.
“Çdo ekstremizëm është i rrezikshëm. Ekstremizmi fetar në parim është kundër rendit kushtetues,” përfundoi Sopjani.