22.8 C
New York
Thursday, June 5, 2025

Buy now

Sopi: Nuk mund të presim me lule ata që e quajnë UÇK-në ndërmarrje kriminale

- Advertisement -

Zyrtari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Fatmir Sopi, ka reaguar ndaj vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, duke theksuar se protestat e veteranëve janë të natyrshme për aq kohë sa drejtues të institucioneve ndërkombëtare vazhdojnë ta etiketojnë UÇK-në si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Më tepër ka qenë një reagim nga OVL për vizitën e saj, e cila ka pas të bëjë me Gjykatën Speciale. Por OVL-ja duhet t’i bëjë të qartë znj. Trendafilova se nuk mund të presim dikë me lule, nëse Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e konsideron si ndërmarrje të përbashkët kriminale,” deklaroi Sopi.

Ai shtoi se kushdo që përdor këtë narrativë ndaj UÇK-së, gjithmonë do të përballet me protesta nga veteranët e luftës.

Sopi rikujtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë vazhdimisht nën lupën e drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore, por kurrë nuk është frikësuar.

“Nuk është kjo hera e parë që ka gjykime ndaj UÇK-së. Që nga paslufta ka pasur procese nga UNMIK-u, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tash në Hagë. Ka pasur hetime, gjykime, madje edhe dënime, por askush nuk është ndjerë i kërcënuar. Kanë vazhduar proceset në mënyrë normale,” theksoi ai.

Sopi tha se reagimet publike dhe protestat nuk janë të reja dhe se kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por mbeten shprehje e bindjes së veteranëve se UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë dhe çlirimtare. “Ne konsiderojmë se UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë çlirimtare, nuk ka kryer krime dhe nuk mund të barazohet viktima me xhelatin,” përfundoi Sopi.

Të ngjashme

Të fundit