13.7 C
New York
Monday, October 13, 2025

Buy now

Sonte Suedia-Kosova, Foda: E dimë që do të jetë shumë vështirë, një ndeshje shumë e fortë për ne

- Advertisement -

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka thënë se nuk do ta ndryshojnë mënyrën e lojës kundër Suedisë.

Ai ka theksuar se Kosova do të paraqitet me mbrojtje të ngjeshur dhe nëpërmjet kundërsulmeve do të kërkojë të arrijë deri te goli. Njëjtë kishte bërë në Prishtinë muajin e kaluar. Kosova kishte fituar me rezultat 2:0 ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndeshja tjetër mes Suedisë dhe Kosovës luhet të hënën nga ora 20:45 në Goteborg.

“Suedia është kundërshtare e fortë që luan futboll direkt. Ka kualitet të madh në sulm me lojtarë si Isak, Gyokeres, por edhe Elanga nëse luan. Jemi të vetëdijshëm që na pret ndeshje shumë e vështirë, një ndeshje me intensitet shumë të lartë. Do të ketë presing të lartë nga ana e vendasve, por jemi të vetëdijshëm për këtë. E dimë që do të jetë shumë vështirë dhe një ndeshje shumë e fortë për ne”, ka thënë Foda të dielën mbrëma në konferencë për shtyp.

Tekniku gjerman insiston se e vetmja formë për të nxjerrë rezultat pozitiv është mbrojtja e fortë dhe kundërsulmet e suksesshme.

“Suedia nuk është skuadër e fortë vetëm me kundërsulme, por edhe në posedimin e topit. Është ekip që luan shumë mirë me topin, po ashtu bën presion shumë lart në fushë, prandaj ne duhet të paraqitemi në fushë shumë ngushtë dhe kompakt në fazën defensive. Ky ka qenë edhe çelësi i suksesit në lojën e parë që e kemi pasur, ku kemi luajtur ndeshje shumë të kujdesshme. Më pas kemi arritur të shënojmë nëpërmjet kundërsulmeve dhe kështu do të duhet të jetë fokusi edhe në ndeshjen e nesërme. Nëpërmjet ndeshjes së kujdesshme në fazën defensive dhe mbrojtjes së ngjeshur, ne do të provojmë të bëjmë presion dhe të kemi intensitet sa më të lartë në këtë përballje. Kjo është e vetmja formë se si mund të luajmë kundër një kundërshtari të tillë”, është shprehur Foda.

Kosova, Sllovenia dhe Suedia janë në garë për vendin që siguron paraqitjen në plejof të kualifikimeve të Botërorit që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Vendin e dytë me katër pikë e mban Kosova. Zvicra është në vendin e parë me nëntë pikë, kurse dy pikë i ka Sllovenia në vendin e tretë. Suedia është e fundit me një pikë. Sllovenia luan në shtëpi ndaj Zvicrës po ashtu të hënën mbrëma.

Foda thotë se gara është e hapur për vendin e dytë.

“Është një grup i fortë dhe të gjithë kanë gjasa për vendin e dytë apo të kualifikohen direkt. Sa i përket mungesave, fatkeqësisht na është rritur numri i mungesave. Mungojnë Elvis Rexhbeçaj shkaku i lëndimit, kurse Fidan Aliti për shkak të kartonëve të verdhë. Por ne kemi lojtarë kualitativë që mund t’i zëvendësojnë dhe do të mbulojnë pozitat e tyre. Ne duhet të shkojmë përpara me këtë grup lojtarësh që kemi”, thotë tekniku gjerman.

Foda ka veçuar fazën e sulmit. Ai nuk e di se cili lojtar do të paraqitet krah sulmuesit të Liverpoolit, Alexander Isak.

“Mënyra e lojës së Suedisë është e qartë, luan në fazën ofensive dhe të drejtpërdrejtë. Është skuadër që luan në mënyrë agresive në ofensivë. Suedezët kërkojnë të vijnë shpejt deri te shënimi i golit nëpërmjet dy sulmuesve. Kështu kanë luajtur në Prishtinë, besoj se njëjtë do të luajnë nesër. Kështu ka qenë edhe në ndeshjen e fundit kundër Zvicrës. E vetmja dilemë që kam është se kush do të jetë në sulm me Alexander Isakun. A do të jetë Elanga apo dikush tjetër? Por është skuadër shumë e fortë dhe konsistente në idetë dhe lojën e vet. Unë e kam parë, jo vetëm në ndeshjet e fundit por edhe në të kaluarat, që gjithnjë kanë insistuar të luajnë në këtë formë dhe kam bindjen se kështu do të vazhdojnë edhe në ndeshjet e radhës”.

Sulmuesi Fisnik Asllani po ashtu e ka cilësuar të vështirë ndeshjen kundër Suedisë.

“Është një ndeshje e vështirë. E kemi fituar ndeshjen e parë, por këtu do të jetë më vështirë për të fituar. Kur luan mysafir është më vështirë. Por, po besoj që edhe ne duhet ta tregojmë në fushë kualitetin tonë dhe besoj se mund të arrijmë rezultat pozitiv”, ka thënë Asllani.

Ai mund të paraqitet krah Vedat Muriqit në sulm. Kosova përballet me shumë mungesa për ndeshjen ndaj Suedisë. Por Asllani premton maksimumin.

“Unë besoj se pozita e Suedisë është surprizë e madhe, duke llogaritur kualitetin. Sulmin e ka jashtëzakonisht të fortë me lojtarë si Isak, Gyokeres, Elanga dhe plot të tjerë. Prandaj më ka befasuar që ka vetëm një pikë. Por është një ekip shumë i mirë dhe besoj se ne duhet të japim maksimumin edhe nesër, pasi do të jetë ndeshje shumë e vështirë”, ka thënë Asllani.

Në nëntor luhen dy xhirot e fundit. Kosova luan në Lubjanë kundër Sllovenisë më 15 nëntor, kurse tri ditë më pas në Prishtinë e pret Zvicrën.

Të ngjashme

Të fundit