Sonte me fillim nga ora 21:00 do të luhet finalja e madhe e Ligës së Kampionëve në mes PSG-së dhe Interit.
“Allianz Arena” do të jetë nikoqir i finales për trofeun më të lavdishëm evropian, ku Parisi kërkon kompletimin e tripletës, ndërsa Interi kërkon triumfin në këtë garë për herë të parë pas 15 vitesh.
Herën e fundit që Interi ka arritur ta ngre në qiell trofeun e Championsit ishte 22 maji i vitit 2010, ku në “Santiago Bernabeu” fitoi 2-0 ndaj Bayern Munichut, me golat e shënuar nga Diego Milito, ku në këtë sezon, Interi e fitoi edhe tripletën.
Për trajnerin e “Nerazzurrëve”, Inzaghin, kjo është finalja e dytë në Champions League, në historinë e tij si trajner, pasi të parën e humbi ndaj Manchester Cityt në sezonin 2022-23.
Që nga koha kur iu bashkua Interit, Inzaghi ka fituar së paku një trofe për çdo sezon, ku për tri vite rresht, 2021, 2022 dhe 2023 e ka fituar Superkupën e Italisë, ndërsa Kupën e Italisë e ka fituar në sezonet 2021-22 dhe 2022-23, teksa është shpallur kampion në Serie A sezonin e kaluar, 2023-24.
Suksese pati edhe kur e nisi punën me Lazion në vitin 2016, pasi e fitoi dy herë Superkupën e Italisë, një herë në vitin 2017 dhe një herë në vitin 2019, ku po këtë sezon, 2018-19 e fitoi edhe Kupën e Italisë.
Për dallim nga Inzaghi, kundërshtari i tij në stolin e PSG-së, Luis Enrique, punën si trajner e ka nisur para 17 vitesh, duke udhëhequr ekipin B të Barcelonës për ri sezone, 2008-09, 2009-10 dhe 2010-11, por që nuk pati ndonjë sukses.
Aventurën e tij, Enrique e vazhdoi te Roma, ku qëndroi vetëm për një sezon, i cili po ashtu nuk kishte sukses, pasi përfundoi në vendin e 7-të në Serie A.
Rrugëtimin e tij, Enrique e vazhdoi në Spanjë, ku fillimisht e mori drejtimin e Celta Vigos gjatë sezonit 2013-14, ku kishte një sezon shumë pozitiv, me lojë sulmuese dhe stil të qartë, e që më pas i shërbeu për kalimin te ekipi i parë i Barcelonës.
Enrique e udhëhoqi Barçën për tri sezone, e që periudha 2014-17 është më a lavdishmja në karrierën e tij si trajner.
Në sezonin 2014-15, Enrique e fitoi tripletën me Barçën, pasi u shpall kampion në Champions Leagu, La Liga dhe Kupën e Mbretit, e në vitin 2015 e fitoi edhe FIFA Ëorld Cup dhe UEFA Super Cup.
Suksese pati edhe në sezonin 2015-16, ku arriti ta fitonte La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa në sezonin 2016-17, Enrique e fitoi vetëm Kupën e Mbretit.
Pas aventurës me klube, Enrique iu bashkua Spanjës prej vitit 2018 deri në vitin 2022, por që nuk pati ndonjë sukes të madh.
Menjëherë pas eksperiencës me kombëtaren e Spanjës, Enrique iu bashkua PSG-së në korrik të vitit 2023, ku po në atë sezon arriti që të shpallej kampion në Ligue 1, ndërsa në vitin 2024 arriti ta fitonte Superkupën e Francës.
Ndërsa në sezonin 2024-25, Enriques i mungon vetëm trofeu i Championsit, pasi është shpallur kampion në League 1 dhe në Kupën e Francës.