Sonte (të martën) do të fillojë kontesti më i madh i këngës në Evropë, festivali Eurovision. Shqipëria do të marrë pjesë edhe këtë vit dhe do të përfaqësohet nga Albina Kelmendi dhe Familja me këngën “Duje” e cila deri më tani është pëlqyer jashtëzakonisht shumë në publik, por edhe nga vet Eurovisioni që i kanë kushtuar edhe një artikull.
Spektakli i këngës do të fillojë të martën më 9 maj në Liverpool, që llogaritet të jetë gjysmëfinalja e parë ku do të interpretojnë Norvegjia, Malta, Serbia, Latvia, Portugalia, Irlanda, Kroacia, Zvicra, Izraeli, Moldavia, Suedia, Azerbejxhani, Çekia, Holanda dhe Finlanda, transmeton Paparaci.com.
Albina Kelmendi dhe Familja do të interpretojnë në gjysmëfinalen e dytë e cila do të mbahet më 11 maj, pra të enjten, ndërsa është e 14-ta në radhë nga lista e interpretuesve. Përveç, saj, në gjysmëfinalen e dytë do të përformojnë edhe shtete të tjera si Danimarka, Armenia, Rumania, Estonia, Belgjika, Çipro, Islanda, Greqia, Polonia, Sllovenia, Gjeorgjia, San Marino, Austria, Lituania dhe Australia.
Finalja e madhe e Eurovision do të mbahet të shtunën me 13 maj.
Vitin e kaluar Shqipëria ishte përfaqësuar nga Ronela Hajati me këngën “Sekret”, por që nuk arriti ndonjë sukses. Ukraina kishte fituar në vitin 2022 garën e këngës me këngën Stefania nga grupi Hip-Hop Kalush Orchestra. Ndërsa ishte e pamundur që këtë vit Eurovisionin ta organizojë Ukraina për shkak të pushtimit dhe agresionit rus që po vazhdon të rëndojë mbi Ukrainën.
Për këngën “Duje” të Albina Kelmendit dhe Familjes ka shkruar edhe media e famshme BBC që e ka konsideruar këngën me mesazh të fortë për rëndësinë e familjes.
”Teatrale dhe dramatike, kënga shqiptare mbart një mesazh të fortë për rëndësinë e familjes dhe pranimin e njerëzve që doni për atë që ata janë”, shkruan BBC.
”Vokali mbresëlënës dhe harmonitë ballkanike ndërtohen në një kor tërheqës, me Albinën e shoqëruar në skenë nga pesë anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe babain e saj”, shton BBC. “Zëri i Albinës të prek telat e zemrës”.
Për këngën “Duje” është shkruar edhe një artikull në uebfaqen zyrtare të Eurovisionit ku vlerësohet lartë mesazhi që tenton të përçojë kënga, pra rëndësia e familjes.
“Albina dhe Familja Kelmendi e çuan këngën e tyre “Duje” në Festivalin e Këngës në Shqipëri, ku u përballën më 25 artistë të tjerë gjatë 4 netëve, duke eliminuar gradualisht konkurrencën (vokale). Ndërsa fituesi i festivalit u kurorëzua me vendim të jurisë, publiku ishte ai që vendosi se kush do ta përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizion. Dhe kanë votuar për Albinën dhe Familjën Kelmendi”, thuhet në këtë shkrim të Eurovision.
“Kush ka nevojë për këngëtarë dhe valltarë mbështetës, kur e gjithë familja juaj është në skenë? Kelmendasit na dhanë një shije të aftësisë së tyre vokale në provën e tyre të parë në Liverpool më datë 2 maj.”, thotë artikulli i Eurovision.
Kënga “Duje” e Albina Kelmendit dhe Familjes është vlerësuar shumë edhe nga publiku shqiptar. Kelmendi, gjithashtu ka shkëlqyer edhe në paraqitjet e saj në Londër gjatë provave dhe ka mahnitur të gjithë. Mbetet të shihet të enjten se cili do të jetë vlerësimi për të.