Shqiptarët janë ndër qytetarët më entuziastë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sipas sondazhit më të fundit të Eurobarometrit, i zhvilluar në periudhën shkurt-mars 2025. Mbështetja për integrimin në Shqipëri arrin në 91%, niveli më i lartë në Ballkan dhe ndër më të lartët në të gjitha vendet e përfshira në sondazh.
Në vend të dytë renditen qytetarët e Maqedonisë së Veriut, me 69% mbështetje për anëtarësimin në BE. Në të dyja vendet, qytetarët theksojnë përfitime të tilla si rritja e cilësisë së jetës, hapja e kufijve, ndihma për zhvillimin ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit.Në nivelin e Bashkimit Evropian, 56% e të anketuarve besojnë se zgjerimi do të ishte pozitiv për vendin e tyre. Mbështetja është veçanërisht e lartë tek të rinjtë e moshës 15-39 vjeç, ku rreth 2/3 shprehen pro zgjerimit të unionit me vende që përmbushin kushtet e nevojshme.Megjithatë, qytetarët e BE-së dhe të vendeve kandidate shprehin edhe shqetësime, si migracioni, korrupsioni, krimi dhe kostoja financiare e zgjerimit. Serbia rezulton me nivelin më të ulët të mbështetjes në rajon – vetëm 33% – për shkak të mosbesimit politik ndaj unionit.Sondazhi përfshiu mbi 26,300 qytetarë nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe 1,000 qytetarë nga secili vend kandidat apo potencial kandidat për anëtarësim. Rezultatet tregojnë një imazh më pozitiv të BE-së në Ballkanin Perëndimor sesa në pjesën tjetër të Evropës Lindore.