Gjashtë në çdo dhjetë amerikanë thonë se kanë pikëpamje shumë të pafavorshme ose disi të pafavorshme për Izraelin, 20 për qind më shumë se në vitin 2022, sipas një sondazhi të publikuar këtë javë nga Qendra Hulumtuese “Pew”.
Rreth gjysma e këtyre të anketuarve thonë se kanë pikëpamje “shumë të pafavorshme” për Izraelin, përqindje që është trefishuar në katër vitet e fundit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Sondazhi me 3.500 të rritur amerikanë u zhvillua në fund të muajit të kaluar, pas fillimit të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit. Sondazhi e jep shenjën më të re se qëndrimet kundër Izraelit po shtohen në mesin e amerikanëve.
Shumë sondazhe të zhvilluara në të kaluarën kanë treguar se amerikanët rishtazi ndiejnë dhembshuri më shpesh për palestinezët se për izraelitët.
Edhe sondazhi i ri e vuri në pah ndarjen politike në lidhje me qëndrimet ndaj Izraelit. Rreth 80 për qind e mbështetësve të Partisë Demokratike thanë se kanë pikëpamje jo të favorshme për Izraelin, në krahasim me vetëm 40 për qind në mesin e përkrahësve të Partisë Republikane të presidentit Donald Trump.
Gati gjysma e demokratëve nën moshën 50-vjeçare thanë se kanë pikëpamje “shumë të pafavorshme” për Izraelin.






