Sociologu serb nga Novi Sad, Milosh Peroviq, vlerëson se nacionalizmi në shoqërinë serbe është “në një fazë terminale” dhe shtoi se nuk sheh asnjë forcë politike që distancohet nga ky fenomen negativ shoqëror.
“Sot, për mendimin tim, nacionalizmi është në fazë terminale. Demoni i nacionalizmit po forcohet gjithnjë e më shumë institucionalisht dhe njerëzit që e kundërshtojnë po largohen nga ky vend, brezat e rinj po rriten mbi mite dhe legjenda, e situata sa vjen e përkeqësohet”, tha Peroviq në intervistë për portalin e Novi Sad-it, “Voice”.
Sipas tij, ideologjia që çoi në luftërat e viteve ’90-ta është ende në pushtet.
“Ne ende nuk kemi lëvizur nga viti 1991. Sot jemi edhe më keq në shumë mënyra. Në atë kohë, kishte të paktën një rezistencë më të madhe ndaj asaj ideologjie brenda shoqërisë sesa sot. Sot, kjo rezistencë është reduktuar në grupe krejtësisht margjinale të individëve. Nuk është problem në rrugë, është problem në institucione, shkolla, media dhe qarqe akademike”, tha Peroviq, raporton N1.
Sociologu serb përmendi se të rinjve nacionalizmi po iu imponohet përmes sistemit arsimor dhe pasojat e futjes së mësimit fetar në shkolla vetëm kanë filluar të vërehen.
“Të rinjtë zgjedhin konservatorizmin, sepse ai u paraqitet si diçka e dëshirueshme. Ajo që është veçanërisht interesante është se gjatë dekadës së kaluar, vendi deklarativisht ishte në favor të integrimit evropian, por në thelb bëri gjithçka kundër tij”, tha Peroviq.