Ish-futbollisti holandez, Wesley Sneijder, ka zgjedhur së fundmi favoritët më të mëdhenj për Kupën e Botës 2026.
Kupa e Botës 2026 zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026 dhe tashmë Sneijder ka zbuluar disa nga favoritët e tij në një intervistë me gazetën spanjolle Marca.
“Nëse duhet të zgjedh katër skuadra për gjysmëfinalet, ato janë Portugalia, Spanja, Franca dhe Brazili. Konkurrenca është shumë më e fortë. Të gjithë janë aty, do të jetë çmenduri”, ka thënë fillimisht Sneijder.
“Anglia gjithashtu ka një skuadër të jashtëzakonshme, njësoj si Holanda. Ndoshta Gjermania do të rikthehet në rrugën e duhur, kush e di?”.

Sneijder bëri 134 paraqitje për ekipin kombëtar holandez, duke shënuar 31 gola dhe duke fituar medaljen e argjendtë në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut dhe medaljen e bronztë katër vjet më vonë në Brazil.
“Të luaja finalen e Kupës së Botës kundër Spanjës ishte e pabesueshme. Ishte një ndeshje shumë e ngushtë. Ne mund të kishim fituar, por për fat të keq ata fituan”.
Si kujtesë, Spanja mposhti Holandën 1-0 me një gol të Andres Iniesta në minutën e 116-të.
“Nëse Robben do të kishte shënuar shansin e shkëlqyer që pati, do të kishte përfunduar 1-0 për ne. Në ndeshje të tilla duhet pak fat”, përfundoi ish-ylli holandez.
Ndryshe, si lojtar Sneijder luajti për Ajax, Real Madrid, Inter, Galatasaray, Nice dhe Al-Gharafa gjatë karrierës së tij. Ai fitoi 19 trofe klubesh, njëri prej të cilëve ishte Liga e Kampionëve me Interin.







