Trendi i rritjes së eksporteve të Kosovës përgjatë vitit 2022 është përdorur shpesh nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si një ‘tregues i punës së qeverisë për fuqizimin e bizneseve’ në tregjet ndërkombëtare. Ndonëse deklarata të tilla ishin të shpeshta edhe gjatë vitit të kaluar, pretendimet e kreut të qeverisë sa shkonte e bëheshin më të shpërpjestuara mes retorikës dhe realitetit të shifrave. Rreth 100 milionë euro më pak ishte vlera e produkteve të eksportuara gjatë vitit 2023 krahasuar me një vit më parë. Trendi negativ vazhdon edhe në 2024-ën…
Rrjedhë negative e produkteve të eksportuara në kontekst të vlerës u shënua edhe në fillimin e vitit 2024. Gjatë muajit janar të këtij viti, Kosova eksportoi mallra në vlerë 60 milionë euro. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kjo paraqet një rënie prej 3 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Nga ana tjetër, importi është rritur me 7.4 pikë përqindje, duke arritur vlerën e 380 milionë eurove.
“Eksporti i mallrave në muajin janar 2024 kishte vlerën 60,3 milion Euro, ndërsa importi 380,0 milion Euro, që është një rënie prej (-3,0%) për eksport, si dhe një rritje prej 7,4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.” – thuhet në njoftimin e ASK-së.
Kosova vazhdon të jetë një nga shtetet me deficitin më të lartë tregtar. Bazuar në raportet mujore, shihet një çekuilibër i theksuar ndërmjet eksportit dhe importit në Kosovë, ku importet vazhdojnë të dominojnë tregtinë e jashtme të Kosovës.
Sipas raportit të janarit 2024, thellimi i diferencës ndërmjet eksportit dhe importit bëri që deficiti tregtar të rritet me 9.9 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 9,9% në muajin janar 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 319,7 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 291,5 milion Euro në vitin 2023.” – bëri të ditur ASK.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, eksportet e Kosovës janë ulur për 101 milionë euro në vitin 2023, duke arritur vlerën totale në 819 milionë e 64 mijë euro, në krahasim me 920 milionë e 405 mijë euro të vitit të mëparshëm.
Përgjatë muajve të vitit 2023, raportet e tregtisë se jashtme të Kosovës të ASK-së dëshmuan një rritje të theksuar të deficitit tregtar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Nacionale/