Ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith tha sot se Aleanca Veri-Atlantike nuk do të ecë përpara me një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë siç është.
“Qëllimi ynë tani është të ndalojmë luftën. Ne nuk duam ta zgjerojmë këtë konflikt përtej Ukrainës, dhe kështu që tani, sinjali nga NATO kolektivisht është se NATO nuk është e përgatitur të ecë përpara me një zonë ndalim-fluturimi, “tha Smith në një intervistë për CNN.
Smith, megjithatë, tha se anëtarët e NATO-s po merrnin hapa për të “siguruar mbështetje vdekjeprurëse për Ukrainën dhe për të vlerësuar nevojat e tyre të sigurisë në kohë reale”.
Smith tha gjithashtu se Aleanca po ndërmerr hapa për të mbrojtur anëtarët e saj.
“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. NATO është e përgatitur ta bëjë këtë dhe tashmë po ndërmerr hapa për të përforcuar krahun e saj lindor”, tha ajo.
Ambasadorja tha se zyrtarët amerikanë po diskutojnë me qeverinë polake potencialin që Polonia të dërgojë avionë luftarakë të epokës sovjetike MiG-29 në mbështetje të ukrainasve.
“Ky është një vendim sovran që duhet të merr Polonia. SHBA ka vënë në dukje se është e gatshme të ulet dhe të bisedojë për disa nga sfidat e kësaj. Ka shumë pyetje të hapura në lidhje me numrin e pilotëve ukrainas që janë në dispozicion, se si këta avionë do të lëviznin në të vërtetë nga Polonia në Ukrainë. E gjithë kjo është duke u punuar tani,” u shpreh diplomatja amerikane.
Kur u pyet nëse rusët kanë dominim në qiej, Smith tha se Moska nuk ka epërsi ajrore në Ukrainë dhe se është “lajm i keq për presidentin Putin”.
“Ata nuk e kanë marrë Kievin siç kanë planifikuar të bëjnë në ditët e para të këtij konflikti. Zelensky është ende president i Ukrainës dhe ajo që ne kemi parë është disa nga këto autokolona, kolona prej 40 kilometrash që të gjithë e kanë mbajtur nën vëzhgim, në thelb, nuk ka shkuar askund”, tha ajo.
“Kjo na tregon shumë për aftësinë e ushtrisë ruse dhe sfidat, veçanërisht sfidat logjistike, me të cilat po përballen rusët.”
“Është mjaft befasuese në fakt, paaftësia e tyre për t’u siguruar forcave të tyre gjëra të thjeshta si ushqimet dhe karburantet,” shtoi Smith.