Politologu, Avdi Smajljaj ka vlerësuar se propozimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për kandidatin e ri për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, përbën një përpjekje tjetër për të krijuar qeveri pa koalicion, jashtë mënyrave të zakonshme politike.
Smajljaj ka shtuar se kjo është një mundësi që disa deputetë ose parti, që nuk duan që Kurti të jetë kryeministër, ta votojnë këtë propozim.
“Edhe kjo lëvizje që është bërë sot është një përpjekje tjetër për të krijuar qeveri pa koalicion, pra përpjekje për të bërë qeveri në mënyrë jokonvencionale. Ndoshta disa prej deputetëve ose ndonjë parti edhe mund ta votojë, sepse është një mundësi e mirë që, nëse nuk duan që Kurti të jetë kryeministër, ta shfrytëzojnë këtë rast”, ka deklaruar Smajljaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tevë1.
Ai ka theksuar se presidentja mund të jetë vetëbindur për bazën e votave të VV-së, pasi sipas tij nuk ka dëshmi që Lëvizja Vetëvendosje ka 61 vota për formimin e qeverisë së re.
“Nuk besoj që presidentja ka parë diku ndonjë dëshmi që vërtetë janë 61 vota. Ndoshta është vetëbindur ose i ka mjaftuar një deklaratë e VV-së për t’u bindur shumë shpejt, pa e marrë për bazë nëse ajo qëndron apo jo”, ka thënë Smajljaj.
Sipas tij është detyrë e presidentes që të sigurojë respektimin e Kushtetutës përpara se të ndërmarrë hapa me karakter politik.
“Unë mendoj se është detyrë e presidentes që të sigurojë respektimin e Kushtetutës dhe pastaj mund të bëjë edhe politikë, por brenda asaj që lejojnë hapësirat kushtetuese”, ka përfunduar ai.






