Smajljaj: “Ngutia” në Kuvend, sinjal i krizave të reja politike e pasigurisë institucionale

- Advertisement -

Seanca e gjatë e Kuvendit të Kosovës, ku janë miratuar në parim disa projektligje deri në orët e vona të natës, ka nxitur reagime dhe interpretime të ndryshme nga njohës të politikës.

Politologu Avdi Smajljaj ka vlerësuar se ngjeshja e agjendës legjislative lidhet me krizat politike të zgjatura dhe mungesën e stabilitetit institucional në vend.

Sipas tij, mënyra e organizimit të punës së Kuvendit tregon se mund të jetë në prag të një tjetër krize politike, sidomos për shkak të pasigurisë rreth zgjedhjes së presidentit dhe mungesës së konsensusit mes partive.

Ai ka theksuar se përpjekja për miratimin e një numri të madh ligjesh brenda një kohe të shkurtër lidhet edhe me frikën se Kuvendi mund të mos ketë funksionim të rregullt në periudhën në vijim, për shkak të zhvillimeve të mundshme politike dhe zgjedhore.

“Fakti që është ngjeshur kaq shumë agjenda legjislative, janë pikërisht partitë dhe krizat që kemi pasur më shumë se një vit dhe tashmë kjo nguti tregon që sikur Kuvendi po përgatitet për një krizë të radhës, sepse me gjasë nuk do të kemi president, nuk ka disponim nga partitë që t’i shtojnë aktivitetet e tyre drejt gjetjes së një zgjidhje për një president”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Smajljaj ka shtuar se kjo qasje tregon një përgatitje të heshtur për kriza të reja institucionale, duke përfshirë sfidat për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit në afatet kushtetuese.

Sipas tij, deputetët që po votojnë këto ligje janë njëkohësisht pjesë e situatave politike që kanë prodhuar vetë krizat e deritanishme në vend.

“Ideja është që të kalojnë sa më shumë ligje që është e mundur, sepse pastaj thonë që nuk do të kenë Kuvend për një kohë, për faktin se ne nuk e dimë që a do të ketë zgjidhje pas zgjedhjeve, apo është prapë ai rreziku për kriza institucionale, se kë do ta kemi kryetar të Kuvendit, a do të bëhet Qeveria, pastaj prapë mund të mos kemi president dhe do të kemi vetëm zgjedhje. Shenjat janë që krejt kjo nguti tregon që deputetët po përgatitet për krizat e radhës, të cilat vetë këta deputetë që po i votojnë janë vetë ata që i kanë shkaktuar”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit