Politologu, Avdi Smajljaj, thotë se kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj “theu akullin” me deklaratën për mundësinë e hyrjes në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, ajo deklaratë tregon se mund të ndodhë edhe pse është krijuar një vështirësi për krijimin e një koalicioni.
“Deklarata e Limajt mbrëmë e ka ‘thyer atë akullin’ që është krijuar, një vështirësi për krijimin e një koalicioni qoftë në aspektin e bërjes së qeverisë nga partia që ka dalë fituese e që është e para në këtë rast, ku asnjëra s’është fituese e vetme për ta bërë qeverinë në bazë të sistemit zgjedhor e politik”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Smajljaj tha se deklarata e kryetarit të Nismës ka dobësuar qëndrimin opozitar që mund të krijojnë vetë një koalicion qeverisës.
“Në aspektin e opozitës në një mënyrë sikur e ka dobësuar pak këtë qëndrimin opozitar që mund ta bëjnë vetë, sepse mund të bëhet bashkë, ku tashmë ka një pari që në bazë të asaj që u deklarua dje është e gatshme që të operojë me të gjithë edhe me pozitë edhe opozitë. Për mua e rëndësishme është se si do të qeverisin, sepse kjo lloj krize artificiale në bazë të cilës janë marrë votat, nuk është e shëndetshme që të bartet edhe në koalicion pastaj edhe në mënyrën e qeverisjes”, tha ai.
Limaj mbrëmë në TV Dukagjini ka folur për mundësinë e hyrjes në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e tjera pas zgjedhjeve.