Qytetari është në ‘terr informativ’, nuk është mjaftueshëm i informuar se çfarë është duke ndodhur në KQZ.
Kështu thotë politologu Avdi Smajlaj lidhur me “kaosin” i cili e ka kapluar KQZ-në me rezultat e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Madje, ai thotë se me këtë që po ndodhë po prishet edhe imazhi i ditës së votimit.
“Është vërtetë e pashpjegueshme se çfarë po ndodh në KQZ. Qytetari është në ‘terr informativ’, nuk është mjaftueshëm i informuar se çfarë është duke ndodhur në KQZ. Mendoj se po i prishet imazhi i ditës së votimit, që vërtetë ishte një ditë për t’u përshëndetur gjithashtu edhe i gjithë procesi i votimit. Është vështirë e kuptueshme. Nuk e di se ku e tek është arsyeja, por me të vërtetë e ka rënduar procesin zgjedhor në Kosovë”, tha ai në Tëvë1.
Problemet teknike e vonimi i numërimit të votave, sipas politologut vonojnë edhe formimin e institucioneve.
“Këto të gjitha janë dëm, jo vetëm në dëm të mungesës së transparencës se çfarë po ndodhë me votat e qytetarëve, por automatikisht e vonon edhe procesin e bërjes së institucioneve, sidomos në kohën kur tani jo vetëm ne, por bota është duke kaluar në tranzicion”, deklaroi ai.