Sllovakët me konsideratë të lartë për Kosovën, kërkojnë të bëhet kujdes nga ky lojtar

- Advertisement -

Kombëtarja e Kosovës do të luajë këtë të enjte me Sllovakinë në ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it të Botërorit 2026.

E sllovakët duket se nuk janë fort të qetë para përballjes me Dardanët, shkruan “Gazeta Express”.

Ata kërkojnë të bëhet kujdes me kundërshtarin e radhës në ndeshjen që do të luhet në Bratislavë.

Futbollistët sllovakë, Martin Valjent dhe Ondrej Duda kërkuan të bëhet kujdes para duelit me Dardanët, të cilët i respektojnë tej mase.

Valjent ka kërkuar të bëhet kujdes mbi të gjitha me Vedat Muriqin, të cilin e njeh mjaft mirë pasi e ka bashkëlojtar tek Mallorca.

“Përveç se është bashkëlojtar, ai është edhe një shok imi. Një nga më të mirët në jetën futbollistike. Ata janë shumë të motivuar për këtë sfidë, ai është një sulmues i fuqishëm dhe ndoshta lojtari më i mirë me kokë që e kam parë ndonjëherë”, deklaroi futbollisti sllovak.

“Ekipi i Kosovës dhe ai Mallorcës janë të ndryshëm, nuk e di çfarë roli ka atje, por për ne ai është shumë i rëndësishëm. Vedati është një lojtar i madh, i gjatë dhe shumë i fortë fizikisht, por si personalitet është krejt e kundërta. Një djalë i mirë, familjar dhe modest. Nuk e ka pasur një karrierë apo jetë të lehtë dhe kjo thotë shumë për të”, vazhdoi Valjent, i cili insiston se sllovakët janë jashtëzakonisht të motivuar dhe të vendosur për të shkuar në Botërorin 2026.

Ndërkohë, për sfidën me trupën e Franco Fodas ka folur edhe Ondrej Duda, i cili kërkon nga shokët që ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendës, ndërsa pati fjalë të mira për kundërshtarin e së enjtes.

“Kundërshtari ynë ka shumë lojtarë që luajnë në pesë ligat më të mira evropiane. Ata donin ta përfaqësonin vendin e tyre, edhe pse kanë mundur të ishin Gjermania ose Zvicra. Por në fund ata luajnë për Kosovën dhe janë vërtetë të motivuar”, u shpreh futbollisti i Al Ettifaq.

Ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës do të luhet të enjten nga ora 20:45.

Të ngjashme

Të fundit