Për herë të tretë, dje në KQZ është tentuar të bllokohet garimi i Listës Serbe në zgjedhje. Ndonëse ajo nuk u certifikua, skenari tashmë dihet. Pas ankesave në PZAP e Gjykatë Supreme, Lista Serbe pritet të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, njëjtë siç ndodhi edhe në dy palë zgjedhjet e fundit. Gëzim Shala i IKD’së thotë se moscertifikimi i Listës Serbe është i kundërligjshëm dhe se po tentohet të krijohen tema për politika ditore.
Dje me kundërshtimin e dy anëtarëve të VV’së dhe abstenimin e partive tjera shqiptare, Lista Serbe nuk u certifikua për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Gëzim Shala nga IKD, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se neni 16.3 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme thekson se partitë e regjistruara, janë automatikisht të certifikuara.
“Në kuptim të nenit 22 të Kushtetutës, KEDNj aplikohet drejtpërsëdrejti dhe ka supremaci ndaj legjislacionit. E drejta për zgjedhje të lira garantohet sipas nenit 3 të protokollit 1 të kësaj Konvente. Kushti i parë për të mos lejuar pjesëmarrjen e një subjekti politik të marrë pjesë në zgjedhje është përcaktimi me ligj (GjEDNj, rasti DİCLE AND SADAK k. TURKISË, Par.87). Në raport me këtë kriter, Ligji Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme jo që nuk lejon mos certifikimin në këtë situatë, por se në nenin 16.3 të tij thekson se partitë e regjistruara, si në këtë rast Lista Serbe, janë automatikisht të certifikuara.”
Shala thotë se sipas Komisionit të Vencias, një parti nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e izoluara të anëtarëve të saj.
“Sipas Komisionit të Venecias, një parti nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e izoluara të anëtarëve të saj, veçanërisht nëse këto veprime janë në kundërshtim me statutin apo aktivitetet e partisë. Prandaj, veprimet e kryera ose fjalët e shprehura, online ose offline, nga individë të caktuar brenda një partie, kur nuk e përfaqësojnë zyrtarisht partinë, duhet t’u atribuohen vetëm atyre individëve. E njëjta gjë vlen edhe për sjelljen individuale të anëtarëve që nuk është e autorizuar nga partia në kuadër të aktiviteteve politike/publike apo partiake. Në raste të tilla, ndaj këtyre individëve mund të ndërmerren sanksione civile ose penale të përshtatshme. Për më tepër, Komisioni i Venecias thekson se nuk mund të konsiderohet e justifikueshme shpërbërja e një partie politike me arsyetimin se nuk është distancuar nga veprimet apo fjalimet e liderëve apo anëtarëve të saj (Shih EUROPEAN COMMISSION FOR DEMOCRACY THROUGH LAË. GUIDELINES ON POLITICAL PARTY REGULATION SECOND EDITION, CDL-AD(2020)032, Strasbourg, 14 December 2020, par.117-118). Dokumente të tjera të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit të Venecias flasin për një sërë kriteresh dhe procedurash që duhet respektuar në këto situata, të cilat nuk u respektuan në rastin konkret”, shpjegon Shala.
Ai i tha Gazetës Express se në dy rastet e mëparshme PZAP dhe Gjykata Supreme e kishin certifikuar Listën Serbe.
“Në anën tjetër, praktika e tentimit të mos certifikimit si në këtë rast ishte përsëritur edhe në raport me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 si dhe zgjedhjet e fundit lokale. Në të dy rastet, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe kishte certifikuar subjektin Lista Srbska. Për këtë arsye, tanimë standardi është vendosur se në këtë mënyrë nuk mund të mos certifikohet një subjekt politik.”
Sipas Shalës, në këtë rast kemi të bëjmë me një vendim të kundërligjshëm, epilogu i të cilit dihet.
Ai thotë se po tentohet të krijohen tema për politika ditore.
“Për këtë arsye, në rastin konkret kemi një vendim haptazi të kundërligjshëm, epilogu i të cilit dihet, por se thjesht tentohet që të krijohen tema për politika ditore. Kjo situatë ka sjellë vetëm pasoja negative në kuptim të zbatimit të ligjit dhe raporteve me partnerët ndërkombëtarë e asgjë më shumë”, tha Shala i IKD’së.
Në dy palë zgjedhjet e kaluara, anëtarët e VV’së në KQZ kundështuan certifikimin e Listës Serbe, Mirëpo më pas PZAP, me ankesë të Listës Serbe, e obligoi KQZ’në ta certifikojë këtë parti. Vendimin e PZAP’së, VV e çoi në Supreme, por edhe kjo e fundit vendosi në favor të partisë së Zllatan Elek.
Njëjtë, sipas të gjitha gjasave, pritet të ndodhë edhe kësaj here.
Kritikat e ndërkombëtarëve
Ambasada amerikane ka thënë se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Srpska janë shkurtpamëse e përçarëse.
Ambasada paralajmëroi se këto veprime dëmtojnë stabilitetin e Ksovoës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik që SHBA e pezulloi për shkak të veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se është “seriozisht i shqetësuar” për këtë vendim, duke paralajmëruar se veprime të tilla e dëmtojnë reputacionin që Kosova e ka ndërtuar si një demokraci shumetnike dhe ndikojnë negativisht në raportet me partnerët ndërkombëtarë.
“Jam seriozisht i shqetësuar për përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar Listën Srpska të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla kërcënojnë të shkatërrojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si demokraci shumëetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, shkroi Hargreaves.
Ambasadori gjermane, Rainer Rudolph, ka thënë se procesi zgjedhor duhet të jetë i lirë nga manovrat e aktorëve politikë.
“Shpreh keqardhje për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që refuzuan të certifikojnë Listën Srpska për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të aktorëve politikë”.
Ndërsa, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se ky vendim është i gabuar dhe bie ndesh me standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë e gjithëpërfshirës.
“Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe parti të tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së” thuhet në reagimin e tyre.
Një reagim tjetër erdhi nga OSBE. Ata thanë se janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar thellë për këtë vendim. Në njoftim thuhet se “misioni dënon veprimet që cenojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje”. /GazetaExpress/






