30.8 C
New York
Monday, August 11, 2025

Buy now

Skandaloze: Presidentja e ftoi Radomir Llabanin për të festuar 17 vjetorin e pavarësisë duke e ditur që ishte rrezik për sigurinë kombëtare

- Advertisement -

Ndonëse presidentja Vjosa Osmani ka pasur informacione që nga viti 2024 se gjyqtari serb, Radomir Laban, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës, dhe sipas pretendimeve të Qeverisë ai ka lidhje edhe me Radojiçiqin, krerët e institucioneve të Kosovës në krye me vetë Presidentën e Republikës së Kosovës i kanë çuar ftesë zyrtare gjyqtarit të Kushtetueses, Radomir Laban, për të marrë pjesë në ceremoninë e festës së Pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2025.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë është futur në fazën e fundit të mandatit të saj, në një konferencë për media të mbajtur me datën 5 gusht 2025, kishte njoftuar se e ka tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese meqë gjyqtar referues për lëndën ku kërkohej të dihej se cilat janë pasojat legale për mosrespektim të afatit kushtetues 30 ditor, ishte caktuar gjyqtari nga komuniteti serb, Radomir Laban.

“Këtë e kam bërë sio reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare. Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, kishte thënë presidentja.

Sipas Osmanit, në një rast të tillë tejet të rëndësishëm s’mund të ishte gjyqtar referues Laban, meqë sipas informacioneve të strukturave të sigurisë, të rikonfirmaura sëfundi, i njëjti përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

“Është thellësisht shqetësuese se si një gjyqtar për të cilin institucionet e sigurisë zyrtarisht kanë dorëzuar informata se e rrezikon shtetin, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues”, kishte thënë Osmani para gazetarëve.

Në këtë konferencë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se për këtë problematikë kishin folur edhe një herë në vitin 2024.

“Echon” e kësaj konference të Osmanit e kanë vazhduar edhe Lëvizja Vetëvendosje, në intensitet edhe më të lartë pas publikimit të aktgjykimit të fundit, ku u konstatua se kryesuesi Avni Dehari ka shkelur Kushtetutën, ku është urdhëruar të ndiqet rendi i ditës dhe është specifikuar vetëm metoda e votimit të hapur si rrugë drejt konstituimit të Kuvendit të Republikës.

Megjithatë, përkundër faktit se gjyqtari nga komuniteti serb, Radomir Laban, sipas Osmanit paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, dhe sipas Qeverisë Kurti e Lëvizjes Vetëvendosje ka lidhje edhe me Milan Radojiçiqin, gjyqtari serb është ftuar zyrtarisht nga liderët e shtetit të marrë pjesë në ceremoninë e 17 vjetorit të festimit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në ftesën e siguruar nga Gazetë Express, presidentja Vjosa Osmani si lidere e shtetit prinë në emrat e krerëve të institucioneve, në ftesën e dërguar.

Se të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe serbin Radomir Laban kanë pranuar ftesë e kanë konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express nga vetë Gjykata Kushtetuese

“Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e pritjes shtetërore me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese dhënë për Gazetën Express.

Gazeta Express për të marrë konfirmim për të njejtën çështje i ka drejtuar pyetje edhe këshilltarit për media të Presidentes së Kosovës, Bekim Kupinës, megjithatë deri në momentin e publikimit të tekstit i njejti s’ka kthyer përgjigje. Gazeta Express sapo të marrë përgjigje nga Presidenca e Kosovës, do ta publikojë të njejtën poashtu./GazetaExpresss/

 

Të ngjashme

Të fundit