Hekuran Murati në vitin 2016, aktualisht ministër i Financave, e kishte bërë një llogaritje dhe i kishte dalur që Kosovës më lirë do t’i kushtonte të angazhonte mercenarë për ta çliruar Kosovën, sesa çlirimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shkruan Scanner.
Ai, derisa kishte kalkuluar shifrat e pensioneve për veteranët e luftës, kishte shkruar se “këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.
“Tre muaj nga dy mijë euro bëjnë gjashtë mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsejtë. Edhe as faleminderit s’kish pas nevojë me iu thanë”, shkruante atëherë Murati.
Por, pas këtij statusi, ai kishte bërë edhe një tjetër lidhur me veteranët.
“Statistikat po thojnë që në luftën e Kosovës janë vra rreth 1.500 ushtarë serb- rreth 300 nga UÇK-ja dhe 1200 nga NATO. A ka mundësi me ditë me kend ka luftu qeta 46,000 veteranë?”, kishte shkruar Murati në 2016, transmeton Scanner.
Murati tani është ministër i Financave dhe njëri nga më të zëshmit që pensionet për veteranët nuk duhet të përfshihen në ligjin për pagën minimale.
Aktualisht veteranët marrin 170 euro, derisa paga minimale pritet të arrijë në 250 euro.
Kryeministri Albin Kurti e ka thënë në më shumë se një rast se veteranët nuk e meritojnë pagën minimale.
Pas kritikave, ai ka thënë se veteranët mund të meritojnë edhe më shumë, porse një herë duhet të pastrohen listat, sepse nuk janë 60 mijë veteranë ashtu siç aktualisht është numri zyrtar, por janë më së shumti rreth 20 mijë.