Petrit Hajdari, anëtar i Kryesisë së PDK-së, ka reaguar për skandalin e publikuar për shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila e cila dëshmohet të ketë kontaktuar me kriminelin serb të veriut, Milan Radojiçiq, transmeton Scanner.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se të madh e të vogël, partia në pushtet e ka bërë tradhtar, bashkëpunëtor të Radojçiqit, Vuçiqit, e kujt tjetër jo.
“Të njëjtit që e akuzonin Hashim Thaçin për tradhti, që na quanin të padinjitet se kërkonim masa të koordinimit me partnerët e sponsorët e shtetësisë së vendit, sot mbahen gjokspërpjetë e bërtasin për dinjitet në skenë, ndërkohë që prapaskena është strukje e nënshtrim para Listës Serbe”, shkruan Hajdari.
Postimi i plotë:
Përgjimet treguan atë që e dinim.
Të madh e të vogël, partia në pushtet e ka bërë tradhtar, bashkëpunëtor të Radojçiqit, Vuçiqit, e kujt tjetër jo.
Na thoshin servilë, s’bëni dot gjë pa Listën Serbe, po shisni Kosovën, e një aradhë të tërë akuzash e përbaltjesh të neveritshme, vetëm që t’u vijë dita të koordinohen, ama jo me SHBA-në por me Radojçiqin.
Të njëjtit që e akuzonin Hashim Thaçin për tradhti, që na quanin të padinjitet se kërkonim masa të koordinimit me partnerët e sponsorët e shtetësisë së vendit, sot mbahen gjokspërpjetë e bërtasin për dinjitet në skenë, ndërkohë që prapaskena është strukje e nënshtrim para Listës Serbe.
Unë nuk kam dyshim që qytetari i Kosovës do t’ua tregojë vendin matrapazëve e pseudopatriotëve që bateritë e patriotizmit i mbajtën mbushur vetëm deri në pushtet, por sa do të dëmtohet Kosova deri në atë moment.
Dorëheqje! Zgjedhje!
Kthejani vendimin qytetarit, amatorë të paedukatë e të paditur deri në dhimbje!