Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për skandalin me ambasadorin e Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është implikuar në një skandal të madh financiar bashkë me kryetarin e Partisë së Lirisë në Slloveni, Robert Golob.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një konferencë për medie ka thënë se pikërisht ky skandal janë arsyet kryesore që mazhoranca po e kundërshton themelimin e Komisionit Hetimor.
“Të gjitha skandalet e njëpasnjëshme janë një rezultat e një politike të brendshme populliste. Shkarkimet pas shpërfaqjes të së vërtetave janë të domosdoshme. Shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni konsiderojmë se është njëra ndër arsyet kryesore pse ky pushtet po e kundërshton në të gjitha mënyrat formimin e komisionit hetimor. Përmes këtij komisioni ne po synojmë të vërtetat e pushtetit që me çdo kusht po mundohet t’i mbajë të fshehura ato”, tha Halimi, derisa konfirmoi se kanë arritur t’i mbledhin 40 nënshkrime për formimin e këtij Komisioni, duke thënë se nuk do të heqin dorë.