Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth është vënë sërisht në qendër të një tjetër skandali pasi Kreu i Mbrojtjes Amerikane sipas asaj që shkruan New York Times dhe konfirmon Associated Press ka ndarë informacione sekrete mbi sulmet ajrore te Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne Jemen në një tjetër grup në Signal me vëllain, bashkëshorten dhe avokatin e tij personal.
Mesazhet e dërguara në 15 mars në këtë grup përfshinin oraret e fluturimeve të Avionëve Luftarakë F/A-18 që kryen sulme të rëndësishme ndaj rebelëve Houthi të Jemenit.Grupi privat, i quajtur “Defense | Team Huddle”, ishte krijuar personalisht nga Hegseth në platformën Signal .
Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se asnjë informacion i klasifikuar nuk është shpërndarë, kritikat ndaj Hegseth janë shtuar. Ish-zyrtarë të mbrojtjes kanë paralajmëruar se ndarja e informacioneve të tilla në platforma të pasigurta mund të rrezikojë jetën e ushtarakëve amerikanë që marrin pjesë në operacione aktive.
Bashkëshortja e Hegseth, Jennifer, është ish-producente e rrjetit Fox News dhe nuk mban asnjë detyrë zyrtare në Pentagon. Vëllai i tij, Phil, dhe avokati Tim Parlatore aktualisht mbajnë pozita brenda Departamentit të Mbrojtjes, por nuk është e qartë përse do të kishin nevojë për informacione të tilla operative.
Ky zhvillim vjen vetëm një muaj pasi u zbulua ekzistenca e një grupi tjetër në “Signal”, ku zyrtarët kishin diskutuar gjithashtu çështje të ndjeshme ushtarake. Edhe atëherë, Shtëpia e Bardhë mohoi ndarjen e informacionit të klasifikuar, por skandali aktual e vë Hegseth në një pozitë edhe më të vështirë, teksa ai kontrollon një buxhet vjetor prej 892 miliardë dollarësh.
Ndërkohë, tensionet brenda Pentagonit janë shtuar. Javën e kaluar, Hegseth shkarkoi tre zyrtarë të lartë për “shpërndarje të paautorizuar të informacionit” – një akuzë që të shkarkuarit e kanë cilësuar si “të pabazë”. Ish-zëdhënësi i Pentagonit, John Ullyot, në një opinion për revistën “Politico”, e përshkroi departamentin si “në kaos të plotë” dhe tha se kjo gjendje po e pengon edhe presidentin.
Në një reagim në platformën X, zëdhënësi aktual i Pentagonit, Sean Parnell, akuzoi mediat “që urrejnë Trumpin” për përpjekjet për të “shkatërruar çdo person të përkushtuar ndaj axhendës së presidentit Trump”.
Sulmet e SHBA-së ndaj Jemenit janë justifikuar nga Uashingtoni si përgjigje ndaj sulmeve të rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, rrugë strategjike për tregtinë ndërkombëtare. Prej nëntorit 2023, rebelët kanë sulmuar dhjetëra anije, kanë fundosur dy, kanë sekuestruar një tjetër dhe kanë vrarë katër marinarë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga rebelët Houthi, një sulm ajror amerikan ne javen qe lam pas në një terminal nafte në veriperëndim të Jemenit ka shkaktuar të paktën 74 viktima dhe 171 të plagosur. Qeveria e udhëhequr nga Houthi e ka cilësuar sulmin si një “krim lufte”.