Kombëtarja e Kosovës regjistroi sonte barazimin e tretë radhazi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Të përzgjedhurit e Alain Giresse ndanë pikët me Rumaninë, në ndeshjen e tretë në kuadër të Grupit I, shkruan Express.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” u mbyll baras dhe pa gola.
Një grup tifozësh nga Rumania kishin udhëtuar drejt Prishtinës për këtë ndeshje, por ata u dëbuan nga stadiumi para mbylljes së ndeshjes.
Tifozët në fjalë u përplasen fizikisht edhe me personat përgjegjës për siguri në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ata gjithashtu kishin futur në stadium edhe mjete piroteknike.
Sipas “Gsp”, këto ishin shkak edhe që tifozët u dëbuan nga stadiumi.
Kujtojmë se Federata e Futbollit e Rumanisë tani rrezikon të përballet me dënime nga UEFA.
Vlen të përmendet edhe se Rumania nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës.