1.7 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

SKANDAL: KEK-u sërish para kolapsit, vetëm 390 MW/h prodhimi e mbi 5 milionë euro importi

- Advertisement -

Në pikun e verës e në ditët kur prap çmimet e energjisë elektrike kanë shënuar rritje enorme, Korporata Energjetike e Kosovës është gjendur para kolapsit. Nga gjithsejtë 900 megavat orë energji elektrike sa janë kapacitetet prodhuese të njësive, aktualisht KEK-u është duke prodhuar vetëm 390 MW/h. Në prodhim janë vetëm dy njësi, Njësia A4 e “Kosovës A” dhe Njësia B2 e “Kosovës B”, derisa tri të tjera janë jashtë prodhimit. Të gjetur në një situatë të tillë, menaxhmenti i KEK-u është dukë bërë përpjekje për të fshehur faktet. Gazeta Infokus ka arritur të sigurojë dëshmi se si menaxhmenti i KEK-ut po mundohet ta gënjejë opinionin publik, se njësia A5 e “Kosovës A” është në remont të planifikuar, derisa faktet tregojnë se kjo njësi është ndalur për shkak të problemeve teknike.

Çmimet e energjisë elektrike sërish kanë shënuar rekord të rritjes në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht në kohën e pikut çmimet kanë shkuar deri në 700 euro për MW/h. E pikërisht në këtë kohë kur çmimet kanë prekur tavanin, Korporata Energjetike e Kosovës ka dështuar të prodhojë energji elektrike me kapacitetet gjeneruese që ka në dispozicion.
Sikurse në pikun e sezonës së dimrit, KEK-u është gjetur para kolapsit në prodhim të energjisë elektrike edhe në pikun e verës ku nuk po mund t’i mbulon as kërkesat e konsumit vendor që janë rreth 600 MW/h.

Ky dështim i prodhimit vendor, sipas informative të siguruara nga KEDS/KESCO vetëm në dy javët e fundit i ka kushtuar Kosovës 5 milionë euro, çmim ky që do ta paguajnë qytetarët në faturat e energjisë elektrike.

Gazeta Infokus ka siguruar informata se termocentralet e KEK-ut aktualisht janë duke prodhuar vetëm 390 megavat orë energji elektrike. Këtë e kanë konfirmuar edhe nga KEDS/KESCO.
Kurse burime Brenda KEK-ut kanë treguar se në këtë situatë gjinden si pasojë e papërgjegjësisë dhe keq menaxhimit.

“Të ndodhur para këtij dështimi, menaxhmenti i KEK-ut po mundohet ta manipulojë opinionin publik duke thënë se njësia A5 është ndalur për të shkuar në remont dhe se kjo ishte e planifikuar. Mirëpo, faktet nga kryeinxhinieri i ndërrimit në këtë njësi tregojnë se kjo njësi ditën e mërkure është ndalur në ora 24.00 për shkak të problemeve teknike”, ka thënë për Gazetën Infokus, ky burim brenda KEK-ut.

Dyshimet për dallavere në tender

I njëjti ka treguar se si nuk kanë arritur të qojnë në remont këtë njësi si rezultat i eksperimenteve dhe përpjekjet për dallavere me tender.

“Njesia, A5 ka qenë e planifikuar të shkon në remont në vitin e kaluar. Kjo është dashur sipas standardeve teknike të prodhuesit kur ka kaluar 32 mijë orë punë. Pra këtu është papërgjegjësia, sepse kjo njësi nuk ka shkuar në remont deri në këto momente, kur ka kaluar mbi 40 mijë orë punë.

Dështim pas dështimi. Dhe në këtë situatë kemi ardhur për shkak se ka pasur tendenca për manipulime të tenderit për remont. Absurditeti ka ndodhur kur është tentuar të shkohet me procedurë emergjente dhe të futën në një lot edhe riparimi i turbinës edhe i kaldasë. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, sepse teknikisht nuk kemi kompani të specializuara për të dyja këto riparime. Kur kanë dështuar ta realizojnë me këtë procedurë, për shkak se nuk e ka lejuar KRRPP-ja duke e konsideruar si shkelje të ligjit të Prokurimit Publik, kanë shkuar më shpallje të tenderit të hapur. Në këtë situatë, prapë kanë dështuar sepse kanë futur dy riparimet në një Lot me çka ka rezultuar pa asnjë ofertues”, ka thënë ky burim brenda KEK-ut.

Sipas tij, KEK-u tani është në një situatë kur kjo njësi është jashtë prodhimit dhe nuk ka as shpallje të hapur për remont. Ai ka treguar se nëse ndiqen vetëm procedurat ligjore nga hapja e tenderit deri të nënshkrimi i kontratës, në situatën më të mirë kur nuk ka ankesa apo shkelje të tjera, marrin kohë mbi dy muaj, ndërsa riparimi nga fillimi i punimeve zgjatë minimum katër muaj.

“Teknikisht dhe ligjërisht nuk do të jetë e mundur që kjo njësi të riparohet deri në fund të këtij viti. Është e çuditshme se si mund të deklarohen se kjo njësi është ndalur për të shkuar në revizion, kur nuk ka as përzgjedhje të kompanisë riparuese”, ka thënë ky burim.

Deputeti Ferat Shala demanton kryeministrin Kurti, Termocentrali A është në defekt, jo në remont

Edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka përgënjeshtruar kryeministrin Kurti i cili tha se “Termocentrali Kosova A” është në remont, deputeti Shala ka thënë se ky termocentral është në defekt dhe jo në remont.

“Termocentrali A është në defekt, dhe jo në remont. Si ka mundësi të jetë në remont, kur ka dështuar tenderi. Këtë e tha kryeministri, pra s’ka remont. Ai ka dalë para asaj që quhet fatale, dhe jo në atë që kryeministri e quajti, pra remont”, ka thënë Ferat Shala.

KEDS: Kemi importuar 5 milionë euro energji në dy javët e fundit

Ndërkaq nga KEDS/ KESCO kanë bërë të ditur së vetëm në dy javët e fundit importi i energjisë elektrike ka shkuar në 5 milionë euro.

“Energjinë e importit e kemi siguruar nga bursat e rajonit që kanë të bëjnë direkt me energjinë elektrike, pasi për ne është më e lira. Gjatë (ditëve të fundit) dy javëve e fundit është importuar dhe importi shkon në mbi 13 mijë MWh. Për këtë energji janë shpenzuar rreth 5 milionë euro. Ky është vetëm importi direkt, pasi një pjesë tjetër është devijuar, për çka ne do të paguajmë në fund të muajit me çmimin mesatar të muajit. Energjia është blerë nga Hungaria, Kroacia dhe Greqia”, ka thënë për Infokus-in zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Sipas tij, gjatë tri ditëve të fundit situata është përkeqësuar në të dy drejtimet.

“Ka ulje nga prodhimi vendor dhe ka rritje të madhe të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ku energjia e kohës së pikut ka arritur deri në 700 euro/MWh. Kjo krijon situatë të vështirësuar dhe është indikator i një vështirësie të madhe që e pret sistemin gjatë dimrit. Prandaj, apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të pështasin ambientet e tyre për ngrohje alternative, e cila pos që do të jetë më e lirë, është edhe më e sigurtë”, ka thënë Buzhala.

Në sistem duke prodhuar janë A4 dhe B2 bashkërisht 390 MW, BRE po prodhojnë 27 MW, ndërsa konsumi është 626 MW që po mbulohet nga importi dhe përmes devijimit.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se është duke bërë remontet/revizionet e të gjitha njësive prodhuese sipas planit për përgatitjet e zakonshme për sezonin dimëror.
Në këtë vazhdë, njësia A-5 është ndalur për qëllim inspektimi dhe riparimi, pra kjo ndalje është bërë sipas planit për revizion konform planit të përditësuar të remonteve dhe revizioneve duke respektuar në tërësi obligimet kontraktuale ndaj furnizuesit publik.

Për më tepër, sot kemi zëvendësuar prodhimin e kësaj njësie nga deponimet në KESH dhe KEK momentalisht është duke ofruar kapacitetin në dispozicion prej rreth 515 MWh/h, pra sasia e ofruar nga KEK për furnizuesin publik është po e njëjta që është ofruar edhe dje. Ndërkohë që janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme që njësia A3 të rikthehet në operim sipas planifikimit”, thuhet pos tjerash në komunikatën e KEK-ut.

Madje nga kjo korporatë kërkojnë nga mediat që të marrin deklarata e qëndrim zyrtar nga KEK, duke i akuzuar mediat se po spekulojnë dhe dëmtojnë imazhin e saj, duke krijuar panik të panevojshëm.

“Lidhur me këtë, KEK kërkon nga mediat e caktuara që të marrin qëndrimin zyrtar nga KEK dhe të ndalin spekulimet të cilat përveç që po dëmtojnë imazhin e KEK-ut, po krijojnë panik të panevojshme edhe tek qytetarët”, përfundon komunikata e KEK-ut./Gazeta Infokus/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit