Por ASK-ja, që u kthye në Zyrën e Kryeministrit vitin e kaluar, befasisht ka pushuar së listuari të çmimeve ditore. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që ASK vepron në mënyrë të çuditshme, duke e lënduar kredibilitetin e saj si agjenci shtetërore. Në muajin janar, ASK kishte fshirë një raport, për ta ribotuar sërish, por duke e rritur “rritjen” reale nga 2,07 për qind në 3,26 për qind.
S’ka të dhëna…
Por le t’i kthehemi largimit të të dhënave nga tabela e çmimeve ditore. Nuk dihet arsyeja pse ka ndodhur një gjë e tillë dhe nëse ka pasur presion që të mos raportohet më për ndryshimin e çmimeve nga dita në ditë.
Gazeta Nacionale është interesuar në lidhje me këtë zhvillim të ri në ASK, duke e pyetur këtë institucion se pse ka hequr tabelën e çmimeve ditore nga uebfaqja e tyre. Për më shumë, Nacionale ka pyetur edhe arsyen pse ka ndodhur një gjë e tillë dhe se kush e ka urdhëruar heqjen e tabelës dhe të databazës së çmimeve ditore të ASK-së nga uebfaqja. Por deri në publikimin e këtij artikulli, ASK nuk ka kthyer përgjigje.
Tash e tutje, kosovarët nuk do të kenë informacion për luhatjen ditore të çmimeve, pasi tabela që dikur figuronte në ASK, tash nuk gjindet më. Qytetarët do të mbesin të painformuar për rritjen e çmimeve në produktet bazike si mishi, qumështi, kafja, sheqeri, orizi e të ngjashme. Tash e tutje, qytetarët do të kenë qasje vetëm në raportet mujore të ASK-së rreth inflacionit brenda muajit, i cili krahasohet me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Në lidhje me këtë temë ka shkruar edhe Edison Jakurti, ish-zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë gjatë qeverisë së parë të kryeministrit Albin Kurti. Sipas tij, gjendja në terren nuk mund të përmirësohet duke e fshehur diagnostifikimin e saj.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës jo veç që e ka ndalë observimin e çmimeve në bazë ditore, për një set produktesh bazike, por edhe i paska largu të dhënat nga databaza publike. A ka shpjegim për këto veprime? Fatkeqësisht, gjendja në terren nuk përmirësohet duke e fshehë diagnostifikimin e saj.” – shkroi ai në profilin e tij.
Ndryshe dy ditë më parë, Hekuran Murati, ministër i Financave, vlerësoi se çmimet kanë filluar të normalizohen, pasi inflacioni në muajin prill 2023 ishte 6,5 për qind.
“Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë. Çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Nafta tashmë është kthyer në nivelin 1.15-1.25 euro/litër, e njësoj kanë filluar të bijnë edhe çmimet e produkteve tjera.” – shkroi ai.
Në lidhje me këtë status të Muratit, ka reaguar edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, duke ia “vizatuar” ngritjen e çmimeve.
“Pushteti na thotë se çmimet janë normalizuar.
Një tjetër përpjekje mashtrimi.
Po ja u vizatoj. ✍️
Çfarë është blerë me 105 euro në shkurt të vitit 2021, sot duhet të blihet me 127. Dhe rritja vazhdon. Sepse paaftësia kushton e propaganda s’bën zgjidhje.” – shkroi Abdixhiku sot gjatë ditës.