Gjykata Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan më 9 korrik 2025 ia ka caktuar paraburgimin për një muaj rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët dyshohen për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit, në të cilin të dyshuarit përmes avokatëve të tyre gjatë seancës dëgjimore kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburigmit, me arsyetimin se të mbrojturit e tyre vepruan sipas ligjit.
Fillimisht, sipas Dosjes, thuhet se prokurori i rastit Paulin Pashku në seancë dëgjimore në mënyrë të hollësishme e sqaroi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke dhënë argumentet që arsyetojnë kërkesën për paraburgim.
Prokurori vlerësoi se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit dhe se me masa tjera alternative nuk mund të sigurohet mbarëvajtja e procedurës penale, sipas tij bazuar në ndjeshmërinë publike dhe çështjet e sigurisë dhe ruajtjes së rendit.
“Në këtë çështje penale nuk ekziston rreziku i ikjes e as i ndikimit në dëshmitar, andaj edhe nuk jemi thirrur në këto baza ligjore, por ekziston vetëm rreziku i përsëritjes së veprës penale. Këtë qëndrim e mbështesim edhe në nenin 5 par.2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbatimi i së cilës është i obligueshëm edhe në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës për zbatimin e drejtpërdrejtë të instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e ku theksohet se paraburgimi mund të caktohet kur rreziku është real”, thuhet ne deklarimin e prokurorit Pashku para Gjykatës.
Pashku, deklaroi se në bazë të aktgjykimit të GJEDNJ-së në rastin e Ostendorf v Germany, e njëjta ka nxjerrë përfundimin se kushtet për caktimin e paraburgimit mund të bazohen në nevojshmëri dhe proporcinalitet.
“Pasi që në këtë çështje raportet mes palës së dëmtuar, përkatësisht familjarëve të viktimës dhe të pandehurve janë të acaruara, këto rrethana e argumentojnë nevojën e caktimit të paraburgimit dhe proporcionalitetin me qëllim të parandalimit të përsëritjes apo kryerjes së ndonjë vepre të re penale”, thuhet tutje në vendim.
Mbrojtësi i rreshterit Ibrahim Nela, avokati Valdet Zeqiri, ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit sa i përket pikës së parë të dyshimit të bazuar.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, avokati Zeqiri, ka thënë se Prokuroria nuk ka argumentuar me prova materiale dyshimin e bazuar dhe për më tepër, sipas tij, rreshteri Nela ka vepruar në pajtim me autorizimet policore që ia jep ligji për Policinë dhe udhëzimet e brendshme.
“Nga të dhënat në kërkesë si dhe video incizimet që janë publikuar në media kemi pasur disa raste të raportuara në Polici dhe se policët kanë vepruar në bazë të autorizimeve që kanë dhe të njëjtit është dashur të ndalojnë dhe të arrestojnë personin pasi i njëjti edhe ka filluar t’i sulmoj edhe policët, andaj të i njëjti ka vepruar konform autorizimeve policore”, thuhet në vendim.
Tutje, avokati Zeqiri, deklaroi se Ibrahim Nela nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk paraqet rrezik se mund të kryejë tjetër vepër penale.
Rreshteri Ibrahim Nela, ka përkrahur në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij, lidhur me kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit.
Urim Vokshi, avokat i zyrtarit policor, Albian Retkoceri, ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, pasi sipas tij nuk janë plotësuar kushtet ligjore dhe se Prokuroria në kërkesë nuk ka arritur të sqarojë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
“Krejt arsyetimin që e jep lidhur me kryerjen e veprës penale është fakti se ka pasur kontakt fizik mes të pandehurve dhe të ndjerit si dhe fakti se pas ndërhyrjes se të pandehurve, i ndjeri nuk ka pasur shenja jete”, thuhet në dosje.
Sipas avokatit Vokshi, Prokuroria duhet të tregojë se cila është lidhja shkakore mes kontaktiit fizik dhe pasojës së pretenduar, dhe po ashtu sipas tij duhet të tregojë se si e ka provuar që ky kontakt fizik ia ka shkaktuar vdekjen e Agon Zejnullahut.
“Pra, Prokuroria po thotë që t’i mbajmë zyrtarët në paraburgim pasi që pala e dëmtuar është e acaruar, pasi që këta nuk kanë pasë asnjë problem më viktimën. Ndërhyrja e tyre ka ndodhur vetëm pasi që kanë pasur ftesë nga baza sipas ankesës së qytetarëve dhe të njëjtit nuk kanë asnjë telashe me familjarët e tyre”, thuhet tutje ne deklarimin e Vokshit para Gjykatës.
Ai tha se të dyshuarve po iu bëhet gjyq publik.
“Paragrafi i fundit i kërkesës së Prokurorisë thekson se bazuar në ndjeshmërinë publike dhe çështjen e sigurisë dhe ruajtjes së rendit, prokurori vlerëson se nuk ka masë tjetër alternative, nuk mund të sigurohet mbarëvajtje e kësaj procedure penale. Pra është duke i’u bërë gjykim publik këtyre djemve. Andaj, t’i gjykojmë sipas ligjeve dhe kodeve përkatëse të aplikueshme, gjykimi mediatik veç është duke i’u bërë”, shtoi tutje avokati Vokshi.
Andaj, avokati Vokshi, ka kundërshtuar kërkesën për paraburgim dhe nga Gjykata ka kërkuar që të njëjtën ta refuzojë. I mbrojturi i tij Retkoceri, ka mbështetur fjalën e avokatit.
Mbrojtësi itë dyshuarit Artidon Konxheli, avokati Blendi Bekteshi, ka kundërshtuar në tërësi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak se sipas tij Prokuroria në asnjë provë të artikulueshme nuk e ka bërë të besueshme se Konxheli ka kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
“Duke marrë parasysh se Artidon Konxheli ishte përgjigjur në një thirrje nga disa qytetarë për të vepruar në mbrojtje të jetës është e palogjikshme, madje absurde të pretendosh se veprimi i tij për të neutralizuar një rrezik i cili ishte real dhe mund të kishte pasoja në vdekjen e personave dhe vet rrezikun që i kanoset zyrtarëve policorë të pretendosh se është vrasje”, ka thënë Bekteshi para Gjykatës.
Mbrojtësi i Konxhelit, ka shtuar se veprimet e zyrtarëve policorë ishin në kuadër të Ligjit për Polici.
“Në këtë mënyrë nuk mund të pretendosh se kemi vrasje nga pakujdesia, aq më pak në këtë fazë të procedurës nuk kemi raportin e autopsisë e asnjë provë tjetër që do të vërtetonte se shkaku ka shkaktuar pasojën e pretenduar”, thuhet tutje.
Sipas Bekteshit, pretendimi i Prokurorisë se vepra penale është kryer nga pakujdesia e rrëzon pretendimin për përsëritje të veprës.
“Nga ajo se çka dëgjuam nga prokurori kjo nuk është kërkesë për caktimin e masës së sigurimit të prezencës, por është kërkesë për sigurimin e zyrtarëve policorë nga veprime të personave të tretë, ku pretendohet se në qoftë se këta lihen të lirë mund të ndodhë çfarëdo gjëje”, citohet se deklaroi Bekteshi.
Për arsyet e lartcekura, ai ka kërkuar që të respektohet e drejta për liri dhe siguri, duke kërkuar që Konxheli të mbrohet në liri.
E zyrtari policor Artidon Konxheli, ka mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij Blendi Bekteshi dhe nuk ka deklaruar diçka tjetër.
Mbrojtësi i Liridon Rrahmanit, avokati Flamur Bllacaku, ka mbështetur deklarimet e kolegëve për kundërshtim të caktimit të masës së paraburgimit, pasi sipas tij nuk ka prova dhe bazohet vetëm në teori, e cila siç ka deklaruar para Gjykatës, nuk e ka asnjë mbështetje ligjore e as faktike.
“Për asnjë moment në këtë kërkesë nuk potencohet apo përshkruhet ndonjë veprim i ndaluar i të mbrojturit të tij përveç veprimeve të cilat i ka të obliguara dhe është i detyruar me ligjin për policinë dhe rregulloret e brendshme të cilat e përcaktojnë decidivisht se kur duhet të reagoj zyrtari policor”, thuhet në deklarimin e avokatit Bllacaku.
Ai ka shtuar se pesë zyrtarët policorë që kanë kryer punën e tyre dhe sipas tij kanë vepruar sipas autorizimeve duke ndaluar një person, i cili ka qenë duke kryer veprime që bien ndesh me ligjin.
“Sa i përket pretendimeve se duke marrë parasysh rrethanat e të mbrojturit të tij, i cili është zyrtar policor, i njëjti gjatë kohës kur pretendohet se ka ndodhur vepra penale ka qenë në kryerjen e detyrës zyrtare dhe në asnjë mënyrë nuk mund të përshkruhet e më shumë se i njëjti mund të përsëris apo edhe të kryejë ndonjë vepër penale tjetër”, thuhet më tej në vendim.
Mbrojtësi i policit Rrahmani, ka deklaruar se masa e paraburgimit është shumë e rëndë, e papërshtatshme dhe joproporcionale. Ka kërkuar nga Gjykata që të refuzohet kërkesa e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit.
I dyshuari Rrahmani ka mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij Flamur Bllacaku. Dhe, ka shtuar se sa herë të jetë nevoja do të paraqitet në Gjykatë.
Mbrojtësi i të pandehurit Endrit Beqiri, avokati Besnik Berisha, lidhur me kërkesën e prokurorit për caktim të masës së paraburgimit, deklaroi se aktvendimi për fillim të hetimeve i cili mban datën 8 korrik 2025, me objekt hetimin e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia” në bashkëkryerje, sipas tij nuk ka asnjë provë.
“Nga dje e deri sot nuk ka asnjë provë, madje as raport mjekësor, as dëshmi vdekje se një i ri që ka ndërruar jetë në rrethana të paqarta e në tentativë të tij për të kryer krim në vazhdimësi është cilësuar si vrasje nga pakujdesia, për shkak se besohet se zyrtarët policorë në përmbushje të misionit të tyre dhe përgjegjësisë së tyre ligjore, tentuan ta parandalojnë rrezikimin e jetës së shumë qytetarëve në rrugë të Lipjanit, në mesin e tyre edhe një prokuror dhe një gjyqtar, të cilët sot u paraqitën si dëshmitar se mbështesin pretendimet nga vrasja nga pakujdesia, por që në fakt këtë e di që nuk është kështu edhe vetë Prokuroria”, ka deklaruar Berisha.
Berisha ka thënë se zyrtarët policorë u nisën në drejtim të rrugës ku një i ri që sipas tij pretendohet se ishte intoksikuar, korpulent dhe me fuqi fizike, sulmonte qytetarët dhe zyrtarët dhe përpiqej të hynte në vetura të huaja, për të rrezikuar qytetarët dhe gardianët e sigurisë.
“Pastaj, duke përdorur sprejin zyrtar për ta zmbrapsur agresivitetin e 27 vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili u agresua edhe më shumë dhe sulmoi secilin për rreth derisa zyrtarët policorë arritën që ta lokalizojnë, mobilizojnë lëvizjet e tij, prangosin si e vetmja formë e ligjshme në rastin konkret më forcën minimale që e lejon ligji dhe të shoqëruar me thirrje për ambulancën e qytetit”, citohet se deklaroi Berisha.
Aty thuhet se Berisha deklaroi se i mbrojturi i tij- polici Endrit Beqiri, nuk kishte në detyrë, por ishte kalimtar.
“Kur pa situatën dhe përderisa kaloi aty pranë pa në tokë nëj shufër të kolegut të tij që ishte në asistim dhe u ndal për të i’a ofruar shufrën sepse frikësohej se po qe se bie në dorën e tani të ndjerit, rreziku do shtohet dhe jeta e secilit do të kërcënohej, e kur i’u afrua kolegut për t’i dorëzuar shufrën pa që përkundër përpjekjeve me duar thatë, 4 kolegët e tij nuk arrinin ta vinin situatën nën kontroll”, thuhet tutje në deklarimin e avokatit Berisha, i cili ka theksuar se veprimet e Beqirit nuk ishin në shkelje të ligjit
Avokati shtoi se i vetmi veprim, që sipas tij bëri polici Beqiri, ishte ndihma për t’ia tërhequr tani të ndjerit dorën me të cilën e sulmonte kolegun e tij për t’ia vënë pas në shpinë, aty ku siç tha Berisha, rekomandohet prangosja dhe aty sipas tij pushoi roli i funksionit të Beqirit.
“Mjekësia, akoma nuk ka folur, akoma duhen analiza histo-patologjike dhe toksikologjike, akoma duhet hetim për ta vërtetuar nëse i ndjeri kishte konsumu alkool, drogë, apo të dyja bashkë, faktor këta që me një shfletim të thjeshtë në googel do ta mësojmë se bëjnë presion të qendrës së frymëmarrjes në trurin e vogël dhe shkaktojnë afiksi jo rrallë herë që është provu në mjekësi”, shtoi Berisha para Gjykatës.
Në fund, tha se s’ka rrezik që zyrtarët policorë rrezikojnë të përsërisin një krim, pasi ata nuk janë kriminelë “por janë luftëtarë kundër krimit”. Sipas tij, vendimi i drejtë do të ishte refuzimi i kërkesës për paraburgim dhe që të pandehurit të mbrohen në liri.
Mbrojtësi i Berishës, Beqiri ka mbështetur fjalën e avokatit të tij.
Prokurori Paulin Pashku deklaroi se mbetet pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke konsideruar se ekzistojnë kushtet dhe rrethanat për të cilat është parashtruar kjo kërkesë.
Kurse, gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve të mbrojtësve të tyre, konstatoi se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar.
Sipas Gjykatës, nëse të pandehurit gjenden në liri, ekziston rreziku i përsëritjes ose kryerjes së ndonjë vepre të re penale, bazuar në peshën e veprës, rrezikshmërinë shoqërore, pasojat e shkaktuara, mënyrën e kryerjes së veprës penale, rrethanat dhe ambientin.
Pasoja e veprës- vdekja e Agon Zejnullahut, sipas Gjykatës, përbën rrethanë që rrit tensionin mes të pandehurve dhe familjarëve të tani të ndjerit.
“Për më tepër ekziston mundësia e përshkallëzimit të konfliktit apo tensioneve të reja, në këto rrethana qëllimi parandalues i masës së paraburgimit është jo vetëm të garantoj mbarëvajtjen e hetimeve por edhe të parandalojë përsëritjen e veprave të ngjashme”, thuhet në vendim.
Aty thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes ose kryerjes së ndonjë vepre të re penale për shkak të raporteve të acaruara mes familjarëve të të dëmtuarit dhe të pandehurve. Kurse, mbrojtjen e të akuzuarve të të mbrojtësve të tyre, thuhet se Gjykata e refuzoi si të pabazuar.
Për kërkesën e mbrojtësit të Nelës, avokatit Valdet Zeqiri që i mbrojturi i tij të mbrohet në liri, thuhet se është propozim i paarsyetuar dhe nuk gjen mbështetje në provat konkrete të propozuara nga Prokuroria.
Kurse, për propozimin e mbrojtësit të Retkocerit, avokatit Urim Vokshi i cili ka propozuar të refuzohet kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, me arsyetimin se është i paarsyetuar dhe nuk gjen mbështetje në provat konkrete.
Edhe për propozimin e mbrojtjes së Konxhelit, avokatit Blendi Bekteshi për refuzim të kërkesës së Prokurorisë dhe që i mbrojturi i tij të mbrohet në liri, Gjykata ka thënë se nuk është i arsyetuar dhe nuk gjen mbështetje në prova.
Po ashtu, Gjykata refuzoi edhe kërkesën e mbrojtësit të Rrahmanit, avokatit Flamur Bllacaku për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë, me arsyetimin e njëjtë.
Gjithashtu, ka refuzuar edhe kërkesën e mbrojtësit të Beqirit, avokatit Besnik Berisha që i mbrojturi i tij të mbrohet në liri, me arsyetimin se është i paarsyetuar dhe nuk gjen mbështetje në prova konkrete.