Bazuar në Statutin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, nuk ka më asnjë paqartësi ligjore: vetëm organet legjitime të dala nga zgjedhjet e përgjithshme kanë të drejtën dhe kompetencën për të emëruar apo zgjedhur autoritetet menaxhuese të Universitetit.
Neni 16 i Statutit e përcakton qartë se autoritetet kryesore qeverisëse të Universitetit janë Këshilli Drejtues, Rektori dhe Senati. Ndërsa, Neni 17 e konfirmon se Këshilli Drejtues është autoriteti kryesor qeverisës, me përgjegjësi të plota për drejtimin strategjik dhe institucional të Universitetit, përfshirë vendimmarrjen mbi çështjet financiare, kadrovike dhe infrastrukturore.
Për më tepër, sipas Nenit 27 të Statutit, Senati ka rol kyç në udhëheqjen e procedurës së zgjedhjes së autoriteteve qeverisëse dhe menaxhuese, duke zgjedhur një kryesues të përkohshëm nga radhët e personelit akademik për ta drejtuar këtë proces.
Këto dispozita statutare nuk lënë asnjë hapësirë për interpretime të dyfishta: vetëm pas konstituimit të Këshillit Drejtues dhe Senatit të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, mund të bëhet zgjedhja apo emërimi i autoriteteve menaxhuese të Universitetit siç janë Rektori, Prorektorët dhe Sekretari i Përgjithshëm.
Çdo veprim që bie ndesh me këtë rregull, është në kundërshtim të plotë me Statutin dhe bie ndesh me parimin e autonomisë institucionale.
Prandaj, për Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, nuk ka më asnjë dilemë: vetëm organet legjitime të dala nga zgjedhjet janë kompetente të vendosin për drejtimin dhe menaxhimin e institucionit./Scanner/